E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi Shqipëri-Hungari, drejt dimensioneve të reja



TIRANË – Marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare në Shqipëri nuk janë në nivelin e duhur por së shpejti do të shënojnë dimensione të reja. Një gjë e tillë është pohuar dhe vlerësuar nga investitorët dhe përfaqësuesit e biznesit në ditën e Forumit shqiptaro-hungarez, organizuar nga Klik Ekspo Group dhe shoqatat e biznesit në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës. Në këtë aktivitet që u fokusua kryesisht në ndërmjetësim biznesi, morën pjesë kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë Nikolin Jaka, ambasadori i Hungarisë në Shqipëri, ambasadori i Shqipërisë në Hungari, drejtuesit e Albinvest dhe biznese të rëndësishme të të dy vendeve. Kryetari i Dhomës së Tregtisë, zoti Jaka pasi i falënderoi miqtë për praninë e tyre shpreh se “marrëdhëniet ekonomike dhe shkëmbimet tregtare midis Shqipërisë dhe Hungarisë kanë kaluar nëpër shumë sprova dhe tashmë kanë një përvojë që inkurajon zhvillime edhe më intensive në të ardhmen”. Sipas tij, në këtë moment shkëmbimet tregtare midis dy vendeve nuk janë në nivelin e dëshiruar. “Në kuadrin e intensifikimit të të gjitha marrëdhënieve e shkëmbimeve në rajon dhe më gjerë, raportet bashkëpunuese po rriten edhe me Hungarinë. Sidoqoftë, ky bashkëpunim meriton të vijë tani në një dimension të ri, në ekonomi, në tregti, por edhe në përvojat institucionale”,- tha Jaka. Ai bëri një prezantim të shkurtër të mundësive reale që ofrohen për biznes në vendin tonë me qëllim thithjen e investitorëve hungarezë në vendin tonë. “Shqipëria është një vend që njohu rritje ekonomike të ndjeshme edhe në vitet e krizës më të fundit globale. Reformat ligjore në fushën e tatim-taksave, të koncesioneve, të krijimit të zonave të lira ekonomike dhe vetë reforma strategjike rregullatore, po ndihmojnë në zhvillimin e biznesit dhe të ekonomisë në tërësi. Vendosja e taksës së sheshtë prej 10 përqind dhe suksesi i nismës “One Stop Shop”, janë një garanci e madhe për zhvillimin dhe sigurinë e çdo biznesi, vendas dhe të huaj”, iu tha investitorëve hungarezë kreu i Dhomës së Tregtisë së Tiranës.
Nga ana e tij, ambasadori shqiptar në Hungari, Florian Nova bëri të qartë se Shqipëria i ka të hapura të gjitha mundësitë për investime konkrete nga hungarezët. Ambasadori hungarez në Shqipëri, Molman Sandor, kërkoi që marrëdhëniet ekonomike të zhvillohen në një dimension të ri. Sipas tij, si qeveria hungareze dhe ajo shqiptare, janë të gatshme të afrojnë të gjitha lehtësitë e mundshme që shkëmbimet tregtare të marrin një dimension real dhe mundësitë e investitorëve hungarezë të zhvendosen ne Shqipëri. Më pas, u prezantuan më në detaje mundësitë konkrete të Shqipërisë si dhe zonat kryesore industriale ku mund të investohet nga zv/drejtori i Albinvest, zoti Bogova.

Agjenda e sotme e aktiviteteve të Panairit

10.00-12.00 Seksioni “B” i Forumit të Tretë të Marrëdhënieve Ekonomike Greko-Shqiptare: Zhvillimi Ekonomik dhe Mjedisor
13.00-15.30 Seksioni “C” Forumit të Tretë të Marrëdhënieve Ekonomike Greko-Shqiptare: Sistemet e Certifikimit, Standardet dhe Modelet Ndërkombëtare
17.00 Nënshkrimi i marrëveshjes midis Kompanisë Farmaceutike Belge “Mithra Pharmaceutical”, dhe përfaqësuesit shqiptar.
18.00 Koktej zyrtar në Pavijonin e Belgjikës ofruar nga Agjencia e Tregtisë me Jashtë dhe Investimeve të Wallonisë - Belgjikë

27 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›