OSSH-ja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me sindikatat e punonjësve
Pas një sërë bisedimesh paraprake, dje OSSH-ja nënshkroi marrëveshjen për kontratën e re kolektive me Federatën Sindikale të Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë (FSPISH) dhe Sindikatën e Pavarur të Punonjësve të Elektroenergjetikës së Shqipërisë (SPPESH). Mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventat Ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij, si dhe në Statutin e OSSH-së, palët ranë dakord të nënshkruanin një kontratë kolektive me afat 4 vjeçar. Objekti i kësaj kontrate është rregullimi i marrëdhënieve të punës ndërmjet punëdhënësit, “OSSH sh.a”, dhe punëmarrësit, të përfaqësuar nga Federata Sindikale e Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë (FSPISH) dhe Sindikata e Pavarur e Punonjësve të Elektroenergjetikës së Shqipërisë (SPPESH), si dhe përcaktimi i të drejtave dhe detyrimeve të palëve. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes Kryetari i Bordit të Drejtorëve, Joseph Hejsek, theksoi se, ndonëse ky vit ka qenë tepër i vështirë për OSSH-në, si një vit konsolidimi për kompaninë, kjo marrëveshje është një tjetër konfirmim i vullnetit për një bashkëpunim të mirë mes palëve.
27 Nentor 2009