E Diel, 1 Nëntor 2026

Zonat informale, nisin procedurat e legalizimit me bono privatizimi



Ervin KOÇI

Bonot e privatizimit kanë nisur më në fund të futen në qarkullim. Vendimi i qeverisë për të nisur pagesat e legalizimeve me letra me vlerë ka bërë që vlera e këtyre të fundit të rritet në ditët e fundit. Prej disa ditësh të gjithë të interesuarit për të legalizuar banesën e tyre me letra me vlerë, kanë mundësinë që të nisin procedurat. Vetëm tre ditë më parë hyri në fuqi ligji i miratuar nga Parlamenti për këtë qëllim. Sipas, drejtorit të ALUIZI-t për Tiranën, Agim Berisha, “që nga dita e hyrjes së ligjit në fuqi, të gjithë qytetarët e interesuar duhet të paraqiten në zyrat rajonale të legalizimeve për të bërë kërkesë. Ata duhet të deklarojnë se, janë të gatshëm të paguajnë në letra me vlerë dhe shumën deri në të cilën mund të paguajnë”. Sipas Berishës, kërkesa duhet të bëhet brenda tre muajve nga data e hyrjes në fuqi e ligjit. Kështu të gjithë ata që kanë një ndërtim pa leje dhe kanë kryer pagesën për legalizimin e tij, kanë tre muaj kohë për të konvertuar shumën e dhënë, me letra me vlerë. Drejtori Berisha, ka sqaruar se ata persona që kanë kryer pagesën për ndërtimet e paligjshme, mund të bëjnë kërkesë për të paguar me bonot e privatizimit dhe të rimarrin paratë e tyre.

Ligji

Ligji përcakton qartë se, legalizimi i ndërtimit do të kryhet deri në masën 80 për qind me bonot e privatizimit kur objekti, është për efekt banimi. Ndërsa në masën 50 për qind kur ndërtimi që legalizohet përdoret për efekt biznesi, social apo ekonomik. Sipas Berishës është përcaktuar një afat kohor prej tre muajsh, për ata persona që ndërtimet e paligjshme i ka paguar me para. Brenda këtij afati, këta persona mund të bëjnë një kërkesë në zyrat e ALUIZNI-t dhe të mund të paguajnë me bonot e privatizimit, duke rimarrë kështu paratë e dhëna për legalizimin. Një proces i tillë, u bë i mundur menjëherë pas miratimit në Kuvend të ndryshimeve në ligjin për legalizimin e zonave informale. Futja në treg e letrave me vlerë për ndërtimet pa leje, do të ndihmojë të çojë përpara ketë proces, sidomos në një periudhë kur bankat kanë shtrënguar dhe rritur interesat e kredive. Sipas ekspertëve të ALUIZNIT, aktualisht për 70 për qind të ndërtimeve informale kanë mbaruar procedurat për kualifikimin dhe pajisjen me leje legalizimi. Ndërkohë pritet që të bëhet pagesa e këtyre detyrimeve që kanë të bëjnë me kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore.

Vlera e bonove

Sipas të dhënave zyrtare në total janë emetuar 74.9 miliardë lekë bono privatizimi, prej të cilave i janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë lekë. Nga këto janë përdorur deri tani në proceset e privatizimeve 10 miliardë lekë, ndërkohë që mbeten të shpërndara dhe të papërdorura 41 miliardë lekë të tjera. Bonot e privatizimit mund të përdoren për qëllimin me të cilin janë emetuar deri më 31 dhjetor të vitit 2010. Kështu hyrja në fuqi e ligjit për përdorimin e bonove të privatizimit në procesin e legalizimit, ka nisur që të rrisë vlerën e tyre në tregun e lirë. Ky vendim duket se favorizon ata individë, të cilët kanë përfituar më shumë nga zënia e pronës së ish-pronarëve legjitim, pasi ul ndjeshëm faturën e pagesës sepse aktualisht një bono privatizimi 100 mijë lekëshe blihet në treg me vetëm 14.5 për qind të vlerës së saj. Para zgjedhjeve, kur u propozua ky ndryshim ligjor nga 3- 4 për qind që shiteshin në treg këto letra, përqindja u rrit në 10 dhe tashmë ka shkuar në 14.5 për qind dhe me hyrjen në fuqi të ligjit, do të rritet edhe më tepër.

27 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›