E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fondi i emergjencave, buxheti i vitit 2010 parashikon 4.7 miliardë lekë rezerva



Ervin KOÇI

Qeveria ka parashikuar në buxhetin e vitit 2010 një fond emergjencash më të madh se të viteve të kaluara. Shuma e këtij fondi rezervë për të përballuar çdo situatë apo shpenzim të paparashikuar llogaritet në 4.7 miliardë lekë. Ky fond i njohur ndryshe edhe si kontingjencë, do të përdoret ndër të tjera edhe për shlyerjen e deficitit buxhetor të vendit. Po ashtu, fondi rezervë, do të përdoret me qëllim eliminimin e çdo rreziku që mund të vijë gjatë zbatimit të draftit. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se këto fonde do të përdoren për çdo emergjencë që mund të krijohet gjatë vitit të ardhshëm, duke përfshirë këtu edhe mosrealizimin në nivelet e parashikuara të të ardhurave buxhetore, duke e vënë atë edhe në shërbim të shtesave për pagat dhe pensionet. Por kjo do të realizohet vetëm në rastin nëse qeveria nuk arin që të mbledhë në masën e duhur të ardhurat nga Tatimet, Doganat dhe të ardhurat e tjera të parashikuara që duhet të hyjnë në buxhet. Sipas specialistëve të financave, fondi rezervë është programuar që të ndahet në dy pjesë dhe të përdoret vetëm në ato raste kur situata financiare e qeverisë mund të të jetë problematike.

Ndarja e fondit

"Në buxhetin e vitit 2010 është parashikuar një fond prej 4.7 miliardë lekë si kontingjencë dhe fond rezervë. Ky fond është i përbërë nga 2 miliardë lekë fond rezervë i Këshillit të Ministrave, i cili krijohet dhe përdoret në përputhje me ligjin nr.9936, datë
26.06.2008, 'Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë’, dhe 2.7 miliardë lekë kontingjencë e parashikuar për ruajtjen e deficitit. Qëllimi kryesor i
parashikimit të fondit të kontingjencës është i lidhur me eliminimin e riskut në procesin e zbatimit të buxhetit të shtetit",- theksohet në relacionin që shoqëron buxhetin 2010. Ndërkohë, gjatë prezantimit të buxhetit 2010, ministri i Financave, Ridvan Bode, ka theksuar se nuk ekzistojnë risqe, por për çdo të papritur kontingjencat e parashikuara
janë të mjaftueshme. "Kontingjencat në buxhetin 2010 janë të larta, por një pjesë e tyre janë të përcaktuara. Pra, janë buxhete të ngrira. Por kemi planifikuar edhe një fond kontingjencë, të cilin mund ta përdorim në çdo moment, në rast se nuk realizohen
të ardhurat",- ka shpjeguar ministri Bode.

Të ardhurave buxhetore

Në buxhetin 2010, Ministria e Financave ka parashikuar një rritje e të ardhurave buxhetore me 10.6 për qind. "Totali i të ardhurave parashikohet në nivelin e 360.9 miliardë lekë, me një rritje prej 10.6 për qind kundrejt buxhetit të rishikuar të vitit 2009.
Nga ku: të ardhurat nga tatimet e doganat parashikohet të jenë 246 miliardë lekë, me një rritje prej 10.5 për qind krahasuar me vitin 2009. Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore parashikohen në 60.3 miliardë lekë, me një rritje prej 12 për qind krahasuar me vitin 2009. Parashikimi për të ardhurat nga pushteti lokal për vitin 2010 është 20.9 miliardë lekë, me një rritje prej 13.8 për qind kundrejt vitit 2009. Të ardhurat jotatimore parashikohen në 24.5 miliardë lekë",- theksohet në relacionin që shoqëron buxhetin 2010. Zyrtarët e Ministrisë së Financave
shpjegojnë se të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm janë parashikuar duke u bazuar në ecurinë e treguesve makroekonomikë e fiskalë të vitit 2009, si dhe mbi kuadrin e rishikuar makroekonomik 2010-2012. Kreu i Financave, Ridvan Bode, ka deklaruar se “rritja e të ardhurave buxhetore do të realizohet nëpërmjet luftës kundër korrupsionit, evazionit fiskal dhe informalitetit, si dhe reformës së ndërmarrë në administratën tatimore”.

27 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›