E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forumi i biznesit, Greqia “e ftuara e nderit” e Klik Ekspo Group



TIRANË - Greqia, në cilësinë e shtetit: “I ftuari i Nderit” i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, e organizuar nga shoqëria “Klik Ekspo Group”, ishte fokusi qendror i kuvendit të biznesit. Në vijim të traditës së simotrave evropiane, “Klik Ekspo Group” me ketë vit ketë status në ketë panair pagëzoi Greqinë. I pranishëm ishte Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, Ambasadori i Greqisë në Shqipëri, Nikolaos Pazios, drejtues të lartë të kompanive greke në Shqipëri, përfaqësues të biznesit pjesëmarrës në panair, drejtues të institucioneve publike, si dhe të ftuar të shumtë.
Greqia, partneri kryesor
Greqia, një nga partneret kryesorë ekonomikë të Shqipërisë, është vendi - guest në këtë edicion të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, duke u pozicionuar edhe strukturalisht një hap përpara në Galerinë e shteteve. Një gërshetim i qëlluar mes sipërmarrjes greko-shqiptare me veprimtari në Shqipëri, investitorëve që i qasen tregut shqiptar, në fillim si studiues, e më pas, kthehen në operatorë, iu shtohen edhe sipërmarrës të vegjël e të mesëm. Pavijoni i Greqisë, në edicionin e 16-të të Panairit të përvitshëm Ndërkombëtar të “Klik Ekspo Group”, është konkretizimi dhe vënia në praktikë e sfidave që sipërmarrësit dhe institucionet e shtetit fqinj po rrokin në kuadër të Forumit të Tretë Ekonomik të Sipërmarrësve grekë në Shqipëri. Nëse depërtimi në tregun shqiptar do të konsiderohej sfidë për studiuesit dhe analistët, gjallëria e Pavijonit të Greqisë do të vërtetonte që bëhet fjale për një sfidë të fituar tashmë.
Sfidat dhe perspektivat
Sfidat dhe perspektivat ishin në qendër të diskutimeve në Forumin e tretë të marrëdhënieve ekonomike greko-shqiptare të zhvilluar dje në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës. E ndërsa përsëritja mëkon traditën, Forumi i Tretë Ekonomik Greko-Shqiptar, organizuar nga Ambasada e Greqisë (Zyra e Çështjeve Ekonomike dhe Tregtare) gjeti në edicionin e 16-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës tokën dhe klimën e favorshme për të mbjellë vazhdimësinë e një partneriteti të ngushtë ekonomiko-politik. Hovi i një bashkëpunimi të ngushtë me ambasadën e Greqisë, jo vetëm promovon sipërmarrjen dhe investimet greke në Shqipëri, por i njeh vendit fqinj një status të veçantë, siç është ai i vendit që ka statusin e të Ftuarit të Nderit në këtë panair.
Paketa e investime
Në ditën e parë të këtij forumi, ambasadori i Greqisë në Shqipëri, Nikolaos Pazios tha ndër të tjera se edicionin e 16-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës janë të pranishme me dhjetëra biznese, si dhe Dhoma e Tregtisë së Greqisë. Të gjithë po realizojnë takime me klientë dhe biznese, duke forcuar në të njëjtën kohë edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ky takim në Forumin Ekonomik krijon bazën për një perspektivë më të mirë të ekonomisë dhe biznesit. Në këtë forum do të flasim për kreditimin dhe fusha të ndryshme. Biseda interesante do të ketë për mjedisin dhe ekologjinë. “Është e qartë, tashmë, që do të kemi zhvillime të mëtejshme mes dy vendeve”, tha përfaqësuesi diplomatik i Athinës. Greqia është partneri i dytë tregtar i Shqipërisë. Në vend ka shumë biznese greke, që në total kanë një volum investimesh prej 1.2 miliardë euro. Këto biznese kanë aktivitet dhe volum të madh tregtar në telefoninë e lëvizshme, në industrinë e veshjes, në atë ushqimore, në teknologji dhe sektorë të tjerë. Ambasadori grek në Tiranë tha se është e nevojshme të themi që Shqipëria ka marrë ndihma të përhershme nga Greqia. Ai theksoi se vendi i tij do të investojë edhe 49.9 milionë euro për të përmirësuar jetesën e përditshme të qytetarëve shqiptarë. “Ne kemi 15 projekte që do të zhvillohen nga kompani vendase. Kështu, në infrastrukturë do të investojmë në rrugën Sarandë-Konispol, në aksin e Pogonit. Do të investojmë në zonën e Konispolit si dhe në akse të tjera ndërmjet Gjirokastrës e Sarandës”, - theksoi ambasadori Pazios. “Unë e konsideroj të rëndësishme pjesëmarrjen e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë në Edicionin e 16-të të Panairit Ndërkombëtar organizuar nga shoqëria Klik Ekspo Group. Kjo është një shenjë e rritjes së mundësive për njohje dhe, në të njëjtën kohë, krijon dimensione të reja mes nesh, mes bizneseve dhe mes dy vendeve”, - shtoi përfaqësuesi diplomatik i Athinës në vendin tonë.
Prifti vlerëson Panairin
Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, në përshëndetjen e tij drejtuar Forumit të Tretë Ekonomik, ndër të tjera, e konsideroi një nder pjesëmarrjen në këtë Forum të rëndësishëm. Ai konstatoi edhe një organizim me një cilësi shumë të lartë dhe ambient të ngrohtë për bizneset e pranishëm në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, të organizuar nga shoqëria “Klik Ekspo Group”.
Ministri Prifti deklaroi se, “biznesi grek në Shqipëri konsiderohet nga qeveria shqiptare si shumë i rëndësishëm. Aktualisht, biznesi grek përfaqëson 50 % të investimeve të huaja në Shqipëri. Biznesi grek operon në sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare në telefoni, sektorin bankar, burimet e energjisë, industri etj. “Pavarësisht ndikimit të krizës, volumi tregtar Shqipëri Greqi ka njohur zhvillime të mëdha”,- tha ministri Prifti. Të njëjtin impenjim e ndikim në ekonominë e Shqipërisë ka edhe ndihma e shtetit grek. Në vijim, ministri i Ekonomisë bëri një panoramë të reformave që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës theksoi uljen e vazhdueshme të taksave ndaj biznesit, duke i konsideruar më të ulëtat në Evropë. “Ulja e taksave do të vazhdojë nga qeveria shqiptare, pavarësisht kostos që ka në buxhet”, - tha Prifti, duke shtuar se vitin e ardhshëm qeveria ka planifikuar të heqë TVSH-në për shërbimet shëndetësore dhe arsimin. Ministri i Ekonomisë u shpreh se gjatë vitit 2010 do të përmirësohet shërbimi për biznesin pasi do të ngrihet qendra ose sporteli i vetëm për marrjen e licencave për investimet në energjetikë. Gjithashtu do të ndërtohet edhe një sportel i vetëm për licencat në sektorin minerar”.
Fjala e investitorëve grekë
Në vijim, e morën fjalën Drejtori i Përgjithshëm i AMC-së, Oktapodas dhe G. Prokopakis, këshilltar i lartë i Bursës së Greqisë, A. Galatoulas, drejtori i Alpha Bank në Shqipëri, I. Kougionas, drejtor i Përgjithshëm i Bankës Kombëtare Greke në Shqipëri, D. Santixis, drejtori i Përgjithshëm i Tirana Bank. Punimet e Forumit të tretë ekonomik greko-shqiptar vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme.

27 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›