E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi: Tatimet po kthehen në hetuesi

 

Lobingu i biznesit denoncon publikisht ndryshimet në procedurat tatimore, si shkelje të parimeve themelore të së drejtës

Pasi u përpoqën të negociojnë jashtë vëmendjes së publikut për muaj me radhë, biznesi denoncon: Po shkelni Kushtetutën

Dhoma Amerikane e Tregtisë, e cila përfaqëson interesat e një numri të konsiderueshëm kompanish vendëse e të huaja, denoncoi dje publikisht ndryshimet në procedurat tatimore që qeveria ka dërguar në Kuvend për miratim, si antikushtetuese.

"Ne e vlerësojmë antikushtetues nenin 101 të këtij projektligji, i cili i lejon organet tatimore të thërrasin me detyrim çdo person, të detyrohet për t'u paraqitur, të detyrohet për të dëshmuar, aq më tepër të detyrohet për të bërë ekspertizë, etj., në zyrat e organeve tatimore. Për më tepër ky ligj lejon të thirren për të dëshmuar mbi të dhënat e një tatimpaguesi, persona të cilët nuk kanë autorizimin e shoqërisë",- deklaroi dje AmCham, pasi kishte tentuar më kot të negocionte jopublikisht me qeverinë, me mendimin se do të gjenin logjikë.

"Pavarësisht nga angazhimi konstant dhe prezantimi i komenteve dhe sugjerimeve në të gjitha tryezat ku ajo është ftuar, Dhoma Amerikane shpreh shqetësimin e thellë për mungesën e reflektimit të argumenteve të dhëna në draftet e projektligjit",- deklaruan dje zyrtarë të Dhomës në një konferencë për shtyp.

Biznesi i konsideron ndryshimet ligjore të propozuara, si "cenimin real apo potencial të disa parimeve dhe institucioneve themelore të së drejtës së pronës dhe të njeriut në përgjithësi, si dhe në dëm të lirisë së tregut, me trajtimin e aktivitetit privat sikur të ishte publik".

Kjo është deklarata më e ashpër e bërë ndonjëherë nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, e cila zakonisht përdor gjuhë shumë diplomatike, ku edhe më herët ka qenë në gjendje të negociojë me qeverinë pa patur nevojë t'i shpallë luftë.

Rritje e autoritarizmit

Teorikisht, Shqipëria është një vend i tregut të lirë, ku marrëdhëniet ekonomike vetërregullohen, ku çmimet përcaktohen nga tregu, etj. Por këto koncepte duket se nuk janë fort të qarta për qeveritë. Vazhdimisht, gjatë kohës së tranzicionit, ka patur tentativa të forta nga ana e autoriteteve për të vendosur mekanizma mbikëqyrës, duke filluar nga "normat referuese të fitimit" te "pagat referuese", "numri referues i të punësuarve në kompani" dhe së fundmi, "çmimet referuese". Por propozimet e fundit, të cilat dje u miratuan në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, shkojnë përtej çdo limiti. Ligji i ri i kthen tatimet në institucion hetimor, me fuqi ligjore të thërrasë njerëz për t'u marrë në pyetje, qofshin edhe punonjës të thjeshtë kompanie apo njerëz të paautorizuar për të folur nga kompanitë nën hetim. Ndryshimet i japin të drejtë tatimeve të sekuestrojnë llogaritë bankare të tatim-paguesve pa një vendim gjykate, dhe jo vetëm të biznesit, por edhe llogaritë personale të pronarit apo ortakëve të biznesit, llogari që mund të mos kenë fare të bëjnë me biznesin nën kontroll.

Sipas studiove ligjore me të cilat është konsultuar Dhoma Amerikane e Tregtisë, ku hyjnë disa nga studiot më me emër në Shqipëri, ndryshimet e propozuara ngatërrojnë termin "konfiskim" me termin "sekuestrim", duke i dhënë atributet e konfiskimit, rasteve të sekuestrimit. Sekuestrimi është bllokimi i përkohshëm i një objekti nën pronësinë e dikujt që gjendet nën proces shqyrtimi të të qenit debitor. Konfiskimi është zhveshja përfundimtare e cilësive të pronarit nga një send, për llogari të kreditorit.

"Në projektligj nuk është plotësisht i qartë termi juridik "sekuestrim" apo "konfiskim", pasi rëndom në projektligj përdoret termi "sekuestrim", por nga sa shtjellohen më tej veprimet që ndërmerren nga Administrata Tatimore, të lë të kuptosh që është "konfiskim",- shprehet Dhoma.

Roli i konfiskuesit, sipas ndryshimeve ligjore, i është dhënë Drejtorit Rajonal të Tatimeve. Drejtori, pas këtyre ndryshimeve, kthehet në një njeri të plotfuqishëm. Për më tepër, personi përgjegjës për sekuestrimet në formë konfiskimi, "Drejtori Rajonal", nuk njihet sot për sot si term në legjislacionin shqiptar, nuk dihet shtrirja territoriale e autoritetit të tyre, pra është një post që mund të krijohet në të ardhmen, me akt nënligjor. Në këtë rast, qeveria merr rolin e policit, hetuesit, gjykatës dhe Zyrës Përmbarimore njëkohësisht.

Ndryshime rrugës

Përveç aspekteve antikushtetuese, Dhoma Amerikane ankohet edhe për faktin se varianti i ndryshimeve ligjore i dërguar në Kuvend, duket se përmban klauzola shtesë që nuk iu paraqitën fare për diskutim qarqeve të interesuara.

"Vlen të veçojmë që drafti i fundit i Ligjit për Procedurat Tatimore i dërguar nga qeveria në Komisionin e Ekonomisë mbart ndryshime për të cilat organizmat e biznesit nuk u vunë në dijeni. Theksojmë një nga çështjet më problematike të këtij projektligji, kalimin e përgjegjësive tatimore nga kompania tek ortaku, aksioneri apo administratori. Fatkeqësisht, ky koncept sapo u miratua nga Parlamenti shqiptar, në Ligjin mbi Shoqëritë Tregtare. Biznesi e kundërshton me forcë këtë pikë, që është në kundërshtim të plotë me ligjin aktual për shoqëritë tregtare dhe në përgjithësi me parimet mbi të cilat ngrihet një shoqëri tregtare",- thuhet në deklaratën e Dhomës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›