Lufta për gazsjellësin, Greqia firmos me rusët
Rusia arrin fitoren më të madhe me BE, një pjesë e vendeve të Unionit braktisin projektet alternative
Greqia ka firmosur gjatë ditës së djeshme me Rusinë, ndërtimin e një gazsjellësi me një vlerë totale prej 10 miliardë euro. Gazsjellësi "South Stream" (Rruga e Jugut) do të ketë dy degëzime. Ai fillon në Kaspik, kalon nën detin me të njëjtin emër, hyn në territorin bullgar dhe degëzohet në dy drejtime. Njëra degë e tij do të fillojë në Bullgari, kalon në veriun e Greqisë dhe nën det do të transportojë gaz në Itali. Dega tjetër e tij, nëpërmjet Bullgarisë, Serbisë, Hungarisë dhe përfundon në Austri. Pala ruse njoftoi se ka firmosur marrëveshje me të gjitha vendet në të cilat do të kalojnë tubacionet e gazsjellësit. Marrëveshja do të zgjatë 30 vjet, ndërsa sasia e gazit të transportuar llogaritet të jetë 10 miliardë metër/kub në vit. Sipas ministrit grek të Energjisë, Kristos Folias, kjo është një ndër kontratat më fitimprurëse që janë nënshkruar ndonjëherë. Përfitimet për palën greke llogariten në disa miliardë euro.
***
Kompanitë ruse "Gazprom" dhe ajo italiane "Eni" do të jenë edhe ndërtuesit e kësaj vepre që kap një investim kolosal dhe ka një rëndësi të madhe ekonomike për të gjithë Evropën. Kryeministri grek, Kostas Karamanlis dhe presidenti rus,Vladimir Putin, firmosin marrëveshjen për ndërtimin e gazsjellësit "South Stream". Bëhet fjalë për një ndër marrëveshjet më të mëdha në fushën energjitike që është firmosur vitet e fundit. Ceremonia u zhvillua në Kremlin, në praninë e Ministrave të Jashtëm dhe Energjitikës të dy vendeve. Në marrëveshjen me rusët, grekët presin që të përfitojnë gaz me çmim të ulët, ndërsa përfitimet janë edhe në taksat e transitit për gazin që kalon në territorin e tyre për në pjesën tjetër të BE-së. Pak përpara se të nisej në drejtim të Moskës, Karamanlis deklaroi se Greqia kthehet në kryqëzim të transportit të lëndëve djegëse dhe energjisë botërore. Mësohet se pala ruse ka propozuar që në krye të konsorciumit që do të administrojë këtë gazsjellës të jetë ish-kryeministri italian, Romano Prodi. Projekti "South Stream" shihet nga ana e specialistëve si rival i drejtpërdrejtë i projektit tjetër për ndërtimin e gazsjellësit "Nabucco". Sipas projektit "Nabucco" që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pjesa dërrmuese e vendeve të BE-së, gazi do të vinte nga Azerbajxhani nëpërmjet Turqisë, për në jug të Europës, duke patur një diversifikim të lëndëve të para nga Rusia.
***
Ndërsa "Gazprom" nuk përjashton mundësinë e shpërndarjes së rrjetit të gazit, me anë të këtij projekti, në një pjesë të madhe të vendeve të rajonit tonë, në këtë listë nuk përfshihet Shqipëria. Pavarësisht diskutimeve të shumta për projekte ambicioze, që tashmë prej një dekade janë vetëm në letra, vendi ynë duket se do të mbetet sërish jashtë një rrjeti të mirëfilltë gazi, që do të ishte një mundësi shumë e mirë dhe mëse e domosdoshme për zhvillimin e sektorit energjitik. Duke vlerësuar koniunkturën e çmimeve të naftës që mund të arrijnë në 200 dollarë për fuçi, në një afat të shkurtër kohe, projektet e TEC-ve me gaz që po projektohen për t'u ndërtuar në vend, mbeten tepër të shtrenjtë.