E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koman, betonohet mali që rrezikon digën

 Restaurimi prej 1 mln euro do të sigurojë muret shkëmbore afër digës së Komanit

Kaskada e Drinit, që mbetet aktualisht investimi me vlerën më të madh në vend, prej kohësh pret restaurimin dhe mbrojtjen nga shkarjet e një masivi shkëmbor që rrezikon këtë vepër që është edhe më e madhja në fushën energjetike në vend. Një pjesë gjigante e malit, që sipas drejtorit të prodhimit në KESH, Muharrem Stojku, llogaritet në një masë prej 7 500 m2, është çarë dhe rrezikon që të bjerë mbi digë. Duke parë situatën alarmante KESH ka ndërhyrë me emergjencë, jashtë çdo planifikimi, me një fond prej rreth 1 milionë eurosh dhe me intensitet ka nisur puna për meremetimin e kësaj çarjeje mali. Çarja e këtij masivi gjigant malor që arrin deri në 7500m2 ka ardhur për shkaqe natyrore, por kjo sipas specialistëve është provokuar nga gërryerjet që i janë bërë këtij masivi për të marrë material në kohën kur është ndërtuar hidrocentrali, pasi gërryerjet janë bërë në formë shpërthimi me eksploziv, duke i dëmtuar kështu dhe pjesën mbështetëse të digës, me kalimin e viteve kjo pjesë e masivit është degraduar deri në çarje.

Kaskada, që në 1985 asnjë investim

Situata e konstatuar prej muajsh dhe rreziku që përfshiu digën e Komanit nuk është një histori e veçuar. E gjithë kaskada e Drinit është në një proces amortizimi prej vitesh, ndërsa të gjithë qeveritë e këtyre 18 viteve nuk kanë investuar asnjë lek për këtë pasuri, që mbetet tejet e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit. Një fatkeqësi në kaskadë, që mund të vinte edhe për shkak të neglizhencës në investime restauruese, do të ishte fatale për sistemin energjitik shqiptar. Sipas specialistëve, masivi shkëmbor që është dëmtuar ngjitur me digën e Komanit është i një përbërje gëlqerore tepër të dobët dhe nëse projekti nuk do të ishte realizuar në kohë, pasojat do të ishin fatale. Hidrocentrali i Komanit, për nga madhësia fizike, është hidrocentrali i dytë në vend pas Fierzës, por për nga prodhimi i energjisë, ai është prodhuesi më i madh në vend, me 600 mijë KW dhe pas tij, vjen Fierza me 500 KW e Vau i Dejës me 250 mijë KW. Hidrocentrali i Komanit është ndërtuar në vitin 1985 dhe u klasifikua si një ndër veprat më të mëdha në vend, ndryshe nga veprat e tjera të modelit kinez apo rus. Hidrocentrali i Komanit ishte i një modeli e teknologjie perëndimore, e konkretisht si ajo e tipit francez. Ndërtimi i Hidrocentralit të Komanit është bërë me punë vullnetare, ashtu dhe me punë të detyruar, nga persona që ishin të internuar apo vuanin dënimet në burgje.

Drini, 100 mln euro për digat

Kjo është shuma që kërkohet aktualisht për t'u investuar në kaskadën e Drinit, për t'i bërë të sigurta veprat që ndodhen në këtë lumë. Kjo vlerë në investime është kërkuar për t'u realizuar pas një studimi fizibiliteti të realizuar me një fond të Qeverisë Zvicerane. Me anë të këtij studimi fizibiliteti në kaskadën e Drinit dhe Matit i hapen rrugët investimeve që mund të arrijnë në 100 milionë euro. Këto investime për sigurinë e digave janë vlerësuar mjaft të rëndësishme, pasi mbrojnë jetën e 300 mijë banorëve në zonat fushore poshtë kaskadave. Kaskada e Drinit është ndër pasuritë më të mëdha që ka shteti shqiptar, dhe sipas ekspertëve, nëse ajo do të vihej në shitje, do të kapte një vlerë prej 2 miliardë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›