E Shtunë, 31 Tetor 2026

DElia : Gjirokastra në vëmendje të Italisë

Ambasadori i Italisë në Tiranë Saba D’Elia i pranishëm në qytetin e Gjirokastrës. I shoqëruar edhe nga Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë, Lorenco Tomasoni ka zhvilluar një tur takimesh më përfaqësues të pushtetit vendor, rektoratin e universitetit të Gjirokastrës etj. “Do të punojmë bashkërisht me kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës për të fuqizuar marrëdhëniet e bashkëpunimit që kemi me bashkinë e Gjirokastrës”, ka pohuar ambasadori italian pas takimit me kryebashkiakun Flamur Bime. “Para së gjithash, ka vijuar ai, për të çuar akoma më përpara marrëdhëniet shumë të mira të shkëmbimit kulturor që ka Gjirokastra me Italinë”. “ Do të punojmë edhe në fushën e shkëmbimeve tregtare dhe në mundësinë e bashkëpunimit që janë të pamata. Në këtë drejtim qyteti i Gjirokastrës ka  burime të rëndësishme të cilat duam ti eksplorojmë”, ka pohuar ai.Ndërkohë ambasadori italian ka zhvilluar edhe një vizitë në universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës. Gjatë takimit me rektorin Gëzim Sala ai ka konfirmuar vazhdimësinë e bashkëpunimit për projekte dhe programe të përbashkëta mes universitetit të Gjirokastrës dhe institucioneve akademike në Itali. Më pas ambasadori D’Elia ka bashkëbiseduar me pedagogë dhe studentë të degës së gjuhës italiane në këtë universitet. Pjesë e programit të kësaj vizite ka qenë edhe njohja nga afër e ambasadorit italian me vlerat historike dhe arkitektonike të Gjirokastrës së UNESCO-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›