E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendumi, lind aleanca Meta-Gjinushi

Ilir Meta dhe Skënder Gjinushi, si rrallë herë, janë shfaqur në një qëndrim. Dy kryetarët e partive opozitare dje u deklaruan në mbështetje të një referendumi për Kushtetutën. Por teksa kreu i LSI-së kundërshton të gjitha çështjet e prekura nga ndryshimi, socialdemokrati kundërshton publikisht vetëm formën e zgjedhjes së Presidentit. "Ju bëj thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit që t‘i thërrasin ndërgjegjes së tyre, t‘i thërrasin përgjegjësisë së tyre para qytetarëve që i kanë zgjedhur", theksoi dje Ilir Meta. Ai ftoi kolegët të mos arsyetojnë ekonomikisht dhe vetëm për veten e tyre, por të gjykojnë politikisht dhe me përgjegjësi të madhe, "pasi puçi i realizuar në natën e errët të 21 prillit, i cili ka sfiduar në mënyrë tinëzare, të pabesë dhe të padrejtë vullnetin e popullit shqiptar të shprehur me referendum, ka përmbysur gjithë sistemin demokratik në vend, të gjitha parimet ku ishte ndërtuar Kushtetuta jonë si një republikë parlamentare", sqaroi Meta. Deputetët, shtoi ai, duhet të mos shkelin mbi ato vota që i kanë sjellë ata në Parlament dhe mbi ato vota që u dhanë për atë Kushtetutë që populli shqiptar ka votuar në 1998 "dhe për ato vota që u dhanë kundër asaj Kushtetute që kërkoi Berisha në 1994 dhe populli e rrëzoi, e cila në natën e 21 prillit Berishës i jepet në tavolinë", nënvizoi Meta. Për çështjen e amendimeve kushtetuese, sqaroi ai, Kushtetuta vetë është shumë e qartë, mjaftojnë 28 firma deputetësh që këto ndryshime të votohen në popull dhe brenda qershorit referendumi është i realizuar dhe i bërë. Kreu i LSI tha se nuk i ka humbur shpresat që do të ketë reflektim. Sakaq, drejtuesi i socialdemokratëve, Skënder Gjinushi, tha se referendumi është një formë më se ligjore. Ai kundërshtoi më së shumti nenin që flet për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të vendit, duke mos prekur nenet e tjera që kanë të bëjnë me prokurorin e Përgjithshëm apo me reformën zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›