Tërmeti 4-5 ballë lëkund kryeqytetin
TIRANE - Një tërmet me forcë veprimi 4-5 ballë u shënua dje rreth orës 17:20 në kryeqytet dhe zonat përreth. Epiqendra e lëkundjeve ishte 22 kilometra në jugperëndim të Tiranës, në zonën e Pezës, ku forca e tërmetit ishte 5 ballë, ndërsa në Tiranë është ndjerë 4 deri në 5 ballë. Lëkundjet janë ndjerë dhe në Durrës. Ka qenë ora 17:20 kur rrjeti sizmologjik kombëtar regjistroi lëkundje të lehta tërmeti në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare, tërmeti e kishte epiqendrën 22 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit, në zonën e Pezës së Madhe me magnitudë 4 gradë të shkallës rihter. Në epiqendër forca e tërmetit ishte 5 ballë, kurse në Tiranë lëkundjet ishin 4-5 ballë. Tërmeti është ndier dhe në rrethinat e Tiranës dhe në Durrës. Instituti sizmologjik konfirmon se nuk ka raportime për dëme si pasojë e lëkundjeve të tërmetit. Gjithashtu nuk ka pasur dëmtime as në ndërtesa dhe as të lënduar nga lëkundjet që ka shkaktuar tërmeti i djeshëm. Ky është tërmeti i dytë që trondit Tiranën brenda një harku kohor prej një jave. Tërmeti i para disa ditëve e pati epiqendrën afër Kavajës, por u ndie edhe në Tiranë.