Kapen 105 kg drogë shqiptare në Milano
ITALI - Policia italiane sekuestroi dje 105 kilogramë kanabis sativa, e cila sipas policisë italiane dyshohet se e ka origjinën nga Shqipëria. Sipas mediave italiane mësohet se, droga është kapur në një autobus, që sipas policisë përdoret nga emigrantët shqiptarë për të dërguar pako të ndryshme në vendin fqinj. Policia tha se autobusi ishte nisur nga Vlora me drejtim të Barit e më pas në Milano. Por gjatë ndalimit në Calenzano, një qytetar shqiptar ka tërhequr disa pako. Por shoferi i autobusit i ka dorëzuar dhe një valixhe tjetër, të një bashkëkombësi të tij, me arsyetimin se nuk e merrte dot, pasi ishte larguar personi që e kishte dërguar. Pas disa ditësh ai ka vendosur që ta dorëzojë në polici. Kur Guardia di Financa e ka hapur atë kanë gjetur brenda 15 kilogramë kanabis sativa. Më pas kanë nisur hetimet për gjetjen e pronarit të saj. Ndërkohë burime nga policia shqiptare nuk e konfirmojnë faktin nëse droga është nisur nga Shqipëria drejt Italisë, kjo edhe për faktin se nuk iu ka ardhur një informacion zyrtar nga shteti fqinj. Ndërkohë edhe policia e Vlorës ende nuk është informuar zyrtarisht për lajmin e publikuar në mediat italiane.