Shkeli hapësirën shqiptare, Xhuveli liron anijen italiane
Fatos Mahmutaj
Lirohet peshkarexha italiane e gjobitur 200 mijë euro për shkelje të hapësirës detare shqiptare. Një shkresë e Ministrisë së Mjedisit i ka dhënë lirinë anijes italiane të kapur pranë ishullit të Sazanit, teksa peshkonte pa leje në ujërat shqiptare. Rreth 15 ditë pasi mbahej e bllokuar në Vlorë, anija është liruar, ndërsa Ministria e Mjedisit me anë të shkresës zyrtare pohon se mjeti do e paguajë gjobën në shtetin italian. Incidenti ka ndodhur më 28 shkurt 2009, kur kapitaneria e Rojës Bregdetare Shqiptare është njoftuar se në perëndim të ishullit të Sazanit ndodheshin tre mjete lundruese të paidentifikuara. Me anë të një komunikate, autoritetet shqiptare thanë atëherë se në drejtim të tyre është nisur anija e Rojës Bregdetare Shqiptare "R-215" e Flotiljes Detare Jugore, strukturë e komanduar nga Kapiteni I, Artur Meçollari. Ajo ndaloi anijen italiane duke peshkuar në mënyrë të jashtëligjshme në ujërat territoriale të Shqipërisë. Mjeti i bllokuar ishte peshkarexha italiane "Giove", me port regjistrimi Bari-Itali, e nisur nga brigjet e Monopolit në datën 27 shkurt 2009, me ekuipazh gjashtë vetë. Ndalimi i mjetit është bërë në orën 15:32 minuta të 28 shkurtit dhe pas pak orësh peshkatorja është gjendur e shoqëruar në portin e Vlorës. Anija italiane e peshkimit, kapiteni i së cilës është Clemente Leuci u ndalua duke peshkuar 6.1 milje detare në perëndim të ishullit të Sazanit, ndërkohë që ujërat territoriale shqiptare shtrihen deri në distancën 12 milje.
Bllokimi
Mbas procedurave të ndalimit, "Giove" është shoqëruar për në Portin e Ri në Vlorë dhe pas kontrollit përkatës i është dorëzuar Policisë Kufitare. Më pas dokumentacioni mbi veprimtarinë e jashtëligjshme të peshkatores "Giove" iu dorëzua Inspektoratit të Peshkimit, i cili ka vazhduar me procedim administrativ të shkeljes ligjore të kryer nga anija italiane. Komisioni Administrativ i Drejtorisë së Përgjithshme të Peshkimit në Ministrinë e Mjedisit me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Rojës Bregdetare, dy herë me radhë mori në shqyrtim çështjen e peshkatores "Giove" dhe në përfundim vendosi gjobën 26 milionë lekë të reja, ose rreth 200 mijë euro. Gjatë kësaj periudhe kohe, 15 ditë, anija italiane është mbajtur në Portin e Vlorës, e bllokuar deri në shlyerjen e detyrimeve financiare. Më 15 mars me anë të një urdhri të Ministrisë së Mjedisit, Policia Kufitare e Vlorës la të lirë peshkarexhën italiane, edhe pse ajo nuk kishte shlyer detyrimin financiar. Roland Kristo, drejtor i Përgjithshëm i Peshkimit në Ministrinë e Mjedisit, i kontaktuar nga gazeta tha dje se mjeti italian është lënë i lirë të largohej për në Itali, ku do të vazhdonte të vuante penalitetet e dhëna nga autoritetet shqiptare. Sipas zyrtarit të Mjedisit, anija "Giove" do të paguajë gjobën në Itali, ndërkohë që atje do të merreshin masa administrative përsa i përket lejes për peshkim të këtij mjeti.
Ligji
Ndërhyrja e autoriteteve të Rojës Bregdetare Shqiptare në këtë ngjarje, është mbështetur në bazë të ligjit numër 8875. Neni tre i tij parashikon se Roja Bregdetare bashkëvepron me institucione dhe subjekte shtetërore ose private me interesa në det. Ndërsa në nenin pesë thuhet se detyrë e Rojës Bregdetare është parandalimi dhe ushtrimi i kontrollit për kalimin e paligjshëm të mjeteve lundruese në hapësirën detare shqiptare si dhe të kryejë afrim, bordim, inspektim, ndalim, kapje dhe bllokim të mjeteve që shkelin legjislacionin detar, si dhe shoqërimin e tyre në portin më të afërt, sipas rastit. Më tej në nenin pesë të këtij ligji parashikohet se Roja Bregdetare ka për detyrë të kryejë përpilimin e dokumentacionit bazë për fillimin e procedurave të mëtejshme për shkelësit e ligjit detar si dhe të ushtrojë kontroll në zbatimin e legjislacionit për peshkimin detar. Në pikën e fundit neni pesë i këtij ligji parashikon: "Për kryerjen e detyrave të lartpërmendura, oficerët e Rojës Bregdetare gëzojnë statusin e Policisë Gjyqësore, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi".
Urdhri i Ministrisë liroi anijen
Plot 15 ditë pas qëndrimit e bllokuar në portin e Vlorës, anija italiane është larguar prej andej pas një shkrese të Ministrisë së Mjedisit, sipas të cilës penalitetet e këtij mjeti do të shlyheshin në vendin e origjinës. Mëngjesin e 15 marsit, autoritetet e kufirit bregdetar në Vlorë e kanë lënë anijen të lirë për t'u larguar sërish në drejtim të Italisë. Lirimin e anijes italiane, autoritetet shqiptare të Ministrisë së Mjedisit e kanë argumentuar në bazë të një ligji evropian, në bazë të të cilit, në rastin konkret, procedurat ligjore i ndjekin autoritetet italiane. Autoritetet e Rojës Bregdetare pohojnë se bllokimi i mjetit italian është bërë në zbatim të legjislacionit të peshkimit në kuadrin e sovranitetit kombëtar në det në bazë të ligjit numër 8875, datë 4 prill 2002 "Për Rojën Bregdetare Shqiptare". f.m.
Malaj: Nuk ka denoncim për anijen italiane
Kreu i Prokurorisë së Vlorës, Sokol Malaj, i kontaktuar dje nga gazeta pohoi se në institucionin tij nuk kishte asnjë denoncim për mjetin italian. Sipas tij, bllokimi dhe gjobitja e mjetit që kishte shkelur ujërat territoriale shqiptare nuk ishin kompetencë e Prokurorisë së Vlorës, por institucioneve të tjera. Sipas tij, Prokuroria e Vlorës do të vepronte vetëm nëse kishte denoncim, ose nëse policia e këtij qyteti do të dërgonte dokumentacionin në prokurori. Ndërkohë burime të lajmit pohojnë se për këtë rast është vënë në dijeni organi qendror i akuzës. Ende nuk dihet nëse denoncimi i autoriteteve të Rojës Bregdetare ka mbërritur apo jo në Prokurorinë e Përgjithshme, por pohohet fakti se ky institucion ka reaguar pas lirimit të anijes pa i vjelë gjobën 200 mijë euro. Tashmë prej katër ditësh peshkarexha italiane "Giove" është kthyer në Itali, ndërsa nuk ka njoftim nëse ka paguar apo jo në vendin e vet penalitetet që iu dhanë nga autoritetet shqiptare. f.m