E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi apel opozitës: Votoni Gjykatën Administrative

 

Komuniteti i biznesit i ka bërë apel opozitës që të votojë projektligjin që i hap rrugë ngritjes së Gjykatës Administrative. Ngritja e Gjykatës Administrative është kërkuar kohë më parë me ngulm nga komuniteti i biznesit dhe një gjë e tillë është përkrahur edhe nga vetë opozita, por tani që kjo kërkesë e biznesit është në prag të realizimit, opozita ka bojkotuar pjesëmarrjen në Kuvend. Në një situatë të tillë komuniteti i biznesit i ka bërë thirrje opozitës, që për shkak të konflikteve të politikës të mos penalizohet biznesi, dhe një gjë e tillë mund të arrihet duke i hapur dritën jeshile ngritjes së kësaj gjykate. “Dua të cilësoj me forcë se klasa politike duhet të manifestojë vullnetin e duhur për miratimin e projektligjit. Në mënyrë të veçantë i drejtohem opozitës parlamentare, të rivlerësojë pjesëmarrjen në Kuvend, pavarësisht çështjeve të tjera politike”, është shprehur në një prononcim për gazetën “Panorama” kreu i Dhomës së Tregtisë, Gjok Uldedaj. Sipas tij është e domosdoshme dhe shumë e rëndësishme që të miratohet ky projektligj, në mënyrë që t’i hapet rruga ngritjes dhe funksionimit të kësaj gjykate, si një institucion që i ka munguar këtij vendi. “Duke marrë në konsideratë problemet që ka ‘shpërhapur’ kriza globale në rajonin tonë, por edhe në Shqipëri, funksionimi i Gjykatës Administrative do të ishte një hallkë funksionale, që do të lehtësonte problemet shtet-biznes, duke e bërë këtë të fundit më rezultativ në punën e tij”, është shprehur ai. Aktualisht ky projektligj është miratuar në Komisionin parlamentar të Ligjeve me të gjitha ndryshimet e paraqitura. Pritet vetëm miratimi i tij në Kuvend. Por ligji për Gjykatën Administrative në Shqipëri hyn te ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar të votave, ose 3/5 e 140 deputetëve që ka gjithsej Parlamenti, ndaj dhe biznesi i ka bërë thirrje opozitës që ta votojë këtë projektligj. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë - Tiranë ka qenë iniciatore dhe bashkëpunuese për të projektuar saktë ngritjen e kësaj gjykate.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›