Kriza, BB: Qeveria të rishikojë skemat e ndihmës
Duke patur parasysh që 2009 është një vit krize, Banka Botërore i ka sugjeruar qeverisë që të rishikojë skemat e mbështetjes për shtresat e varfra. Sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT, familjet shqiptare që jetojnë në zonat malore të vendit, por edhe në disa zona periferike të metropolit, vazhdojnë të jetojnë në varfëri të plotë. Në një situatë të tillë, ekspertët e Bankës Botërore i kanë sugjeruar qeverisë që të analizojë faktorët e kësaj rritjeje dhe të marrë masat e duhura. “Duke parë këto të dhëna duhet të jemi të vëmendshëm për programet që duhet të zbatojë politika që të mos rritet papunësia apo kriza ekonomike të kërcënojë ashpër vendin”, u shpreh Camille Nuamah, shefe e Bankës Botërore në Tiranë. Deklarata e përfaqësueses së BB-së në Shqipëri u dha gjatë prezantimit të rezultateve të Anketës së Matje së Nivelit të Jetesës për vitin 2008. “Duhet të shohim se cilët janë personat vulnerabël ndaj varfërisë, pasi nuk e dimë se sa do të zgjasë kriza globale. Duhet të analizojmë se çfarë duhet të bëjmë për të mbajtur këto rezultate të varfërisë, pasi nuk është faji i shqiptarëve, por i problemeve të ekonomisë botërore”, u shpreh Camille Nuamah.