Raporti, varfëria u ul vetëm në fshat
Rreth 200 mijë persona, pjesa dërrmuese e të cilëve jetojnë në fshat, kanë dalë nga niveli i varfërisë. Studimi, që mban firmën e INSTAT, PNUD dhe Bankës Botërore, ka matur nivelin e jetesës për vitet 2005-2008. Sipas shifrave, i varfër quhet ai që nuk arrin të shpenzojë 5722 lekë në muaj. Pra, të gjithë ata persona që shpenzojnë për të jetuar më pak se kaq para, hyjnë në të varfër. Në vitin 2002 niveli i varfërisë matej me konsumin e 4891 lekëve në muaj. Studimi bazohet në të dhënat e mbledhura nëpërmjet Anketës për Matjen e Nivelit të Jetesës nga një kampion familjesh përfaqësuese për të gjithë popullsinë. Anketat janë zhvilluar gjatë muajve qershor-gusht 2008, për familjet në fshat anketat janë bërë në nëntor 2008, pra pa filluar akoma efektet e krizës ekonomike në vend.
Rezultatet
Në Shqipëri numri i popullsisë që cilësohet e varfër është ulur nga 575 mijë në rreth 373 mijë. Në përqindje papunësia është ulur nga 18.5 për qind e popullsisë në 12.4 për qind. Sipas të dhënave të paraqitura dje nga përfaqësuesit e INSTAT, BB dhe PNUD, ulja e varfërisë i është atribuuar “nivelit të lartë të rritjes ekonomike që ka përjetuar Shqipëria në 11 vitet e fundit (mesatarisht 7.1 për qind rritje në vit që nga 1998), së bashku me një rritje mesatare të pagave (në terma reale) prej 36.5 për qind në vitet 2005-2008, dhe të pensioneve në vitet 2005-2007 me 17.4 për qind. Si rezultat, konsumi mesatar për frymë në terma reale është rritur me 7.0 për qind që nga 2005”.
Ndarja
Rezultatet e anketës tregojnë një ulje të ndjeshme të varfërisë në zonat rurale. Kështu në fshat nga 423 mijë të varfër që regjistroheshin në vitin 2005, sot regjistrohen vetëm 232 mijë. Por jo e njëjta gjë ka ndodhur me qytetin. Ulja në zonat urbane është vetëm me 1.2 për qind. Në vitin 2005 numëroheshin 151 mijë të varfër në qytete, ndërsa sot kjo shifër është 150 mijë. Në shifrat e publikuara dje të bie në sy që varfëria është akoma fort prezente në zonat e thella malore, ndërsa ka një rënie të dukshme në zonat fushore dhe ato bregdetare. Sipas statistikave, në zonat malore varfëria është rritur nga 25 në 26 për qind, por duke qenë se atje jetojnë pak njerëz, atëherë ndikimi i tyre në totalin e varfërisë është i vogël. “Të dhënat tregojnë një ngadalësim të dukshëm të reduktimit të varfërisë në zonat malore, ku varfëria vazhdon të shfaqë nivelin më të lartë si dhe ulje jo të rëndësishme që nga 2005. Duke i drejtuar përpjekjet në zgjidhjen e problemeve të zonës malore, do të arrihet një ulje më e shpejtë e varfërisë në të ardhmen”. Paradoksalisht, edhe Tirana është varfëruar gjatë këtyre tre viteve të fundit. Në rast se në vitin 2005 numri i të varfërve në Tiranë ishte 8.1 në përqindje nga totali i popullsisë së kryeqytetit, sot ky numër është rritur në 8.7 për qind.
Konsumi
Mesatarisht një person shpenzon 9731 lekë në muaj, nga 9105 lekë që shpenzonte në vitin 2005. Sipas sondazhit, janë rritur ndjeshëm në përqindje shpenzimet për arsim, ndërkohë që janë ulur shpenzimet për ushqime. Në shifrat e publikuara vërehet që shpenzime për pajisje afatgjata, pra kryesisht për mobilim, kanë rënie. Shpenzimet për arsim dhe përqindja e tij ndaj totalit të shpenzimeve në 2008-ën, janë rritur përkatësisht me rreth 57 për qind dhe 53 për qind. “Parimisht, kur arrihen nivele të kënaqshme të konsumit, përqindja që i dedikohet ushqimit ndaj konsumit total shfaq një tendencë rënieje, meqenëse kur individët arrijnë të kënaqin kërkesat ushqimore, i përdorin të ardhurat shtesë për veprimtari të tjera”, theksohet në studim.
NUMRI I TË VARFËRVE
Varfëria sipas zonave në numër
2002 2005 2008
Të varfër 813,196 575,659 373,137
Urban 257,690 151,811 150,052
Rural 555,506 423,848 223,085
Ndryshimi në varfëri në përqindje
2002-2005 2005-2008
Të varfër -29.21% -35.2%
Urban -41.09% -1.2%
Rural -23.07% -47.4%
Konsumi mesatar mujor për frymë në lekë dhe ndarja në për qind
2002 2005 2008
Treguesit Mesatarja Mesatarja Mesatarja
Konsumi total 7800.8 9105 9731
100% 100% 100%
Për ushqim 4905.8 5159 5280
64.5% 59.2% 57.8%
Për konsum
jo-ushqimor 1654.9 2457 2519
19.4% 24.8% 22.7%
Për arsim 177.1 275 432
12.6% 12.6% 15.1%
Për nevoja bazë 957.6 1087 1447
2.3% 2.4% 3.67%
Për pajisje
afatgjata 105.0 128 56
1.2% 0.9% 0.54%