Biznesi eksportues do të përfitojë nga paketa "Shqipëria, 1 euro"
Kryeministri Berisha tha, gjatë një vizite në fabrikën e prodhimit të këpucëve në Patos, se qeveria do të mbështesë produktet vendase dhe biznesin e eksporteve. Kryeministri tha se këtij biznesi do t'i jepet mundësia për të pasur hapësira lokale, aty ku është e mundur, me 1 euro. Kryeministri nxiti autoritet vendore të aplikojnë nismën "Shqipëria 1 euro" bazuar në ligjin e partneritetit publik privat. Pushteti vendor, tha Kryeministri, duhet të hyjë në partneritet me privatët dhe të lehtësojë investimet e tyre. Ai duhet të shfrytëzojë pronat në varësi të tij dhe t'ua afrojë sipërmarrësve për të rritur investimet dhe për të nxitur investime të reja. Pushteti qendror, tha Kryeministri, do të asistojë nga pikëpamja procedurale, sipas kërkesave, për të përshpejtuar këtë proces.
Kryeministri Berisha u shpreh se biznesi i eksportit është biznes i imazhit, autoritetit dhe i aftësisë së vendit. Për këtë, tha ai, qeveria ka ndërmarrë disa masa lehtësuese, duke përmendur ndërhyrjet në sistemin doganor, krijimin e Agjencisë së Mbështetjes së Eksporteve me fonde të caktuara për të garantuar kreditë që bankat hezitonin t'ia jepnin këtij biznesi për shkak të karakterit të punës së tij. "Në këtë mënyrë, ju do të keni mundësi të madhe të ktheheni nga fasionistë në eksportues direkt "made in Albania" dhe kjo është në interes të ekonomisë së vendit," tha Kryeministri.
"Ne kemi bërë lëvizje fiskale shumë të rëndësishme për biznesin, veçanërisht zbritja e tatim fitimit në 10 për qind. Lëvizja jonë me taksën e sheshtë të të ardhurave personale, e ka prekur ndoshta pak biznesin e kategorisë suaj, por ne përcaktuam rrogën minimale. Nuk ekziston asnjë vend i zhvilluar në botë që nuk ka pagën minimale për orë pune, edhe vendet më liberale të botës e kanë këtë. Ne vendosëm pagën minimale mujore. Këtë nuk e bëmë absolutisht për arsye buxhetore, sepse po të ndiqnim këtë arsye, ne nuk e zbrisnim tatim fitim në 10 për qind, por merrnin 15 për qind dhe kaq mjaftonte për t'i kompensuar të gjitha. Ne e bëmë sepse duhet që në një shoqëri të mbahen parasysh të gjitha komponentët dhe shoqëria të shkojë drejt ngritjes së nivelit.
Të gjitha përpjekjet e tjera kanë qenë e mbeten pozitive për ju dhe ne nuk reshtim në përpjekjet dhe konsolidimin e një klime sa më miqësore ndaj biznesit," u shpreh Kryeministri. Ai u shpreh se qeveria do të bëjë gjithashtu përpjekje që të investojmë për kualifikimin e punëtorëve në këtë sektor.
Fabrika e prodhimit të këpucëve në Patos është ndër sipërmarrjet e rëndësishme të qytetit, e cila po kalon drejt prodhimit "made in Albani". Ajo prodhon 34 mijë palë këpucë në vit, me synimin për të prodhuar 100 mijë palë. Në të janë të punësuar 400 punëtore. Drejtuesi i kësaj sipërmarrjeje Nimet Musaj falënderoi Kryeministrin për ndihmën që i ka dhënë këtij biznesi, duke u shprehur se masat që ka ndërmarrë qeveria kanë bërë të mundur këtë investim të tij.