Suksesi i sipërmarrësve vendas, nxit rritjen e eksporteve
Gjatë vizitës në qytetin e Fierit, Kryeministri Berisha vizitoi fabrikën e prodhimit të grilave, një nga sipërmarrjet më të suksesshme në këtë qytet dhe në vend.
Kryeministri Berisha e cilësoi këtë si një nga sipërmarrjet e mesme më të suksesshme, e cila jo vetëm plotëson nevojat e vendit për grila të cilësisë së lartë, por edhe i eksporton ato në disa vende të tjera. Kryeministri theksoi se linja teknologjike ultramoderne, menaxhimi i shkëlqyer dhe kualifikimi i punëtorëve kanë bërë që kjo kompani të ecë e sigurt në tregun ndërkombëtar. Kryeministri tha se suksesi sipërmarrjeve vendase është nxitës edhe për rritjen e eksporteve. Në tërësi, u shpreh ai, eksportet janë rritur me 35 për qind.
Kryeministri përgëzoi drejtuesit e punonjësit e fabrikës për suksesin e saj, të cilin e cilësoi jo vetëm një sukses të familjes së tyre, por edhe të gjithë qytetit dhe vendit.
Fabrika, investim prej 1.8 milion euro, është e specializuar në prodhimin e grilave të aluminit. Ajo ka një kapacitet prodhimi 45 mijë metër linear në 24 orë, 60 për qind e të cilit mbulon nevojat e vendit, ndërsa pjesa tjetër është e destinuar për eksport. Në këtë fabrikë janë të punësuar 34 punëtorë.