E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi formon koalicion për Gjykatën Administrative

Biznesi nuk tërhiqet nga beteja me qeverinë për të ngritur Gjykatën Administrative. Funksionimi i këtij institucioni do të garantonte një vendimmarrje më të drejtë sa u takon çështjeve të ndryshme administrative. Takimi i mbajtur tri javë më parë, nën prezencën e USAID, formalizoi ngritjen e një grupi pune, i cili do të shërbente për nisjen e negociatave me të gjithë aktorët politikë që përfaqësohen në Parlament. Ligji "Për gjykatën administrative" kërkon 84 vota, por mungesa e opozitës në Kuvend pengon miratimin e tij. Për këtë qëllim, biznesi është grupuar nga 28 shoqatat, duke krijuar Koalicionin në Përkrahje të Gjykatës Administrative. Sipas shoqatave, miratimi i ligjit do t‘i hapë rrugën ngritjes së sistemit të Gjykatave Administrative, një institucion, të cilin bizneset shqiptare e kërkojnë që prej gjashtë vjetësh. "Ngritja e këtij sistemi modern gjykatash do të bëjë të mundur trajtimin në mënyrë efektive dhe të drejtë nga gjykatës të specializuar të mosmarrëveshjeve mes individëve apo organizatave dhe institucioneve publike qendrore e vendore", njoftoi dje Koalicioni në Përkrahje i Gjykatës Administrative (KPGJA). Shoqatat shprehen se ngritja e institucionit të ri ligjor sjell avantazhe edhe për individët e thjeshtë, të cilët përballen me forma të ndryshme sanksioni administrativ (fatura e dritave, gjobat e policisë rrugore etj.).

Ngritja e Gjykatës Administrative do të sjellë përfitime për të gjithë qytetarët, duke pasur parasysh se mosmarrëveshjet administrative përfshijnë si ato në fushën e tatimeve, regjistrimit të biznesit, licencave apo prokurimeve, edhe mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me punësimin, pensionet dhe regjistrimin e pasurive. "Prandaj, fushata synon kontributin e të gjithëve për miratimin e ligjit, duke e ngritur këtë çështje mbi rrjedhën e politikës së ditës", thekson KPGJA. Ngritja e Gjykatave Administrative kërkon, po ashtu, angazhimin e deputetëve nga të gjitha partitë parlamentare. Sipas koalicionit, më shumë vonesa në miratimin e ligjit do të thotë kosto shtesë dhe energji të humbura, kur shfrytëzimi më i mirë i tyre do të sillte përfitim për të gjithë shoqërinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›