E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët kundër qeverisë: Në pension të dalim 50 vjeç

Minatorët kundërshtojnë me forcë vendimin për moshën e pensionit 60 vjeç, të marrë nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë. Një ditë pas miratimit të projektligjit, Sindikata e Minatorëve ka reaguar me shqetësim për uljen e moshës së daljes në pension, pasi kishin kërkuar kufirin 50 vjeç. Sipas sindikatës, qeveria duhet të dëgjojë kërkesat e kësaj kategorie punëtorësh dhe të vendosë për daljen në pension më herët se sa është miratuar, nisur nga kushtet e punës tepër të vështira. Ata i kanë bërë thirrje edhe kreut të LSI-së, Ilir Meta, që të mbajë premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale.

Vendimi

Për vite të tëra minatorët kanë protestuar në drejtim të miratimit të statusit, që rregullon kushtet e sigurimeve shoqërore, nisur edhe nga puna që kryejnë. Pavarësisht premtimeve të bëra, zakonisht në kohë fushate, qeveritë nuk kanë mundur t‘i japin drejtim zgjidhjes së problemit. Në kërkesat e tyre, parashtrohet ulja e moshës për të dalë në pension 50 vjeç. Megjithatë, në deklaratat e bëra mes sindikatave që përfaqësojnë interesin e punonjësve të nëntokës bien ndesh një sërë kërkesash. Nëse Sindikata e Punonjësve në sektorin e hidrokarbureve kërkon moshë pensioni 55 vjeç për burrat dhe 50 për gratë, ajo e minatorëve e unifikon nivelin në 50 vjeç për të dyja shtresat. Propozime ka edhe për administratën që mbulon sektorin e punëve të nëntokës (pus nafte, miniera etj.), por ende nuk ka zgjidhje. Ministria e Financave këmbëngul në faktin se miratimi i statusit të minatorit prish ekuilibrat e nivelit të trajtimit për kategoritë e tjera. Argumenti është përdorur edhe kur LSI-ja në bashkëpunim me PDS-në propozoi në janar të këtij viti ndryshime në ligjin e sigurimeve shoqërore, duke sugjeruar uljen e moshës së pensionit, nga 65 vjeç në 50 vjeç.

Vendimi i qeverisë

Dy ditë më parë, Komisioni i Ekonomisë aprovoi vendimin e qeverisë për uljen e moshës në 60 vjeç nga 65 që është aktualisht. Përveç kësaj mase, për minatorët do të ketë ulje pesë vjet edhe për vitet e punës, ku nga 35 shkon në 30 vite pune, nga të cilat 15 duhet të jenë punë në nëntokë. Llogariten rreth 3 mijë përfitues nga skema e re e pensionit, nga 7 mijë që mund të jenë gjithsej (bashkë me administratën). Efektet financiare nga zbatimi i ligjit të ri arrijnë rreth 25 milionë lekë në muaj ose 300 milionë lekë në vit.

Situata në miniera

Në minierën e Bulqizës, aktualisht punojnë 860 punëtorë dhe shumë prej tyre kanë moshë të thyer. Por ndërsa këta punojnë, disa mijëra të tjerë që kanë moshë të thyer, nëpër të gjithë zonat minerare të Shqipërisë, janë pa pension dhe pa punë. Disa prej tyre i kanë plotësuar vitet e punës, por nuk e kanë mbushur moshën 60 vjeç për gratë dhe 65 vjeç për burrat. Të tjerëve u mungojnë që të dyja. Sipas sekretarit të Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri, ligji i propozuar nga qeveria në fakt nuk sjell ulje të moshës së pensionit. "Ligji aktual e ka caktuar rritjen e moshës së daljes në pension gradualisht. Për një pjesë të minatorëve, ligji i ri përbën në thelb rritje të moshës së pensionit dhe jo ulje të tij", tha Xibri dy ditë më parë për "Shqip". Sipas tij, janë aktualisht rreth 5 mijë minatorë pa pension dhe pa punë në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›