Gjobiten katër shoqëri karburanti
Pikat e karburanteve, të cilat abuzojnë me peshën janë vënë nën sitën e kontrolleve, ndërsa disa prej tyre janë ndëshkuar me gjoba nga ana e Inspektoratit të Metrologjisë dhe Kalibrimit, për shkak të volumit më të ulët të furnizimit në krahasim me pagesën e klientit. Abuzimet e shpeshta në pikat e tregtimit të karburanteve në një kontroll të befasishëm ka çuar në gjobitjen e katër subjekteve, ndërkohë që sipas të dhënave janë vërejtur shkelje të shumta nga ana e pjesës më të madhe të subjekteve që tregojnë karburant. Sipas të dhënave nga zyra e metrologji kalibrimit janë konstatuar shkelje të shumta, të cilat lidhen me dokumentacionin, gjendjen e materialeve të furnizimit, cilësinë e karburantit të tregtuar dhe hedhjes së sasisë në vlerë më të ulët sesa pagesa e kryer nga klienti. Sipas një raporti të degës rajonale, janë verifikuar gjithsej 74 subjekte të tregtimit me pakicë dhe shumicë të karburanteve, ndërsa 4 prej tyre kanë marrë gjoba dhe janë paralajmëruar deri në ndjekje penale në rast të përsëritjes së abuzimeve me peshën. Artan Dovrani, drejtor i drejtorisë rajonale të metrologji kalibrimit thotë se, "në të gjitha subjektet tregtare të karburanteve është kontrolluar dokumentacioni ligjor, gjendja e pistoletave të furnizimit me karburant, volumi i dhënies së karburantit për konsumatorët dhe cilësia, por problemet që konstatohen janë të shumta dhe këto subjekte nuk rezultojnë korrekte".
J.Dh.
J.Dh.