E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemet me energjinë,spitali në kaos

• SHKODER - Parregullsitë në furnizimin me energji elektrike kanë bërë që Spitali Rajonal i Shkodrës të ngrejë zërin ndaj KESH-it.

Vetë drejtoresha Alma Kurti u ka kërkuar drejtuesve lokalë të KESH-it që të mbahet përgjegjësia përkatëse për problemet e furnizimit me energji të ambienteve spitalore. “Spitali Rajonal i Shkodrës është institucion i një rëndësie të veçantë, ndaj dhe furnizimi me energji elektrike nuk duhet të mungojë”, ka pohuar Kurti. “Por fatkeqësisht kohët e fundit ka ndodhur që në disa ditë të caktuara të ketë ndërprerje të energjisë elektrike. Ndërsa ne as nuk jemi lajmëruar për këto ndërprerje. Imagjinoni vetë se çfarë situate mund të krijohet, kur energjia të ndërpritet gjatë një operacioni. Kush do të mbajë përgjegjësi për një fakt të tillë?”, shton ajo. Ky debat është zhvilluar në zyrën e prefektit të Shkodrës, Maxhid Cungu, pikërisht në mbledhjen që kishte të bënte me situatën e furnizimit me energji elektrike në rajonin e Shkodrës. “Ne përdorim gjeneratorë në raste kur nuk ka energji. Por tani ndërprerjet janë bërë kaq të shpeshta sa gjeneratori nuk e përballon këtë situatë. Po na prishen pajisjet dhe atëherë dëmi do të ishte jashtëzakonisht i madh”, ka përfunduar Kurti. Fakti i ndërprerjeve të energjisë elektrike në Spitalin Rajonal të Shkodrës është pranuar nga drejtuesit e KESH-it. Sipas tyre, këto kufizime kanë ardhur nga defekte në rrjet, mbingarkesa si dhe në raste ku është ndërhyrë në rrjet për investimet që po bëhen. Ata kanë premtuar se kjo situatë do të zgjidhet, ndërsa parashikohet që spitali të furnizohet nga një fidër i veçantë.             r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›