Grabitja e kumarxhinjve, policia arreston dy persona, i treti në kërkim
KORÇË – Grabitja e kumarxhinjve në qytetin e serenatave, ku ngelën të plagosur tre persona, e ka detyruar policinë të japë shpjegime. Policia e Korçës doli dje me një prononcim për mediat ku kërkoi të sqarojë rrethanat e ngjarjes së rëndë që ndodhi dy ditë më parë në një njësi tregtare. Policia sqaroi se ngjarja ndodhi në pikën e karburantit “Shell”, mëngjesin e së hënës. Markel Busho, 25 vjeç, Gentian Kosta, 32 vjeç dhe Mateo Alikaj, 18 vjeç, që të tre lindur e banues në Korçë, janë tre personat e identifikuar si autorë të krimit të rëndë. Dy të parët janë arrestuar pasditen e të hënës, kurse i treti u shpall në kërkim pasi nuk u arrit të prangosej bashkë me të tjerët.
Hetimi
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ndodhi dy ditë më parë rreth orës 03:00 në dalje të qytetit të Korçës, pranë karburantit “Shell” që ndodhet në aksin rrugor Korçë-Dishnicë. Tre djemtë, sipas rindërtimit të skemës së ngjarjes nga policia, të pajisur me maska dhe me armë me tytë të shkurtër, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë hyrë në një nga ambientet e karburantit dhe u kanë marrë 600 mijë lekë një grupi djemsh që po luanin bixhoz. Në lojën e bixhozit ishin përfshirë shtatë djem, Alfred Dervishi, Endri Nako, Gjergji Konopulli, Sotiraq Dhima, Ilirjan Bardhushi, Adrian Pino dhe Daniel Pino. Në grabitje e sipër, tre maskat kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtatë djemve, duke lënë të plagosur tre prej tyre: Adrian Pinon, Ilirjan Bardhushin dhe Gjergji Konopullin. Pasi kanë rrëmbyer paratë dhe plagosur tre djem, autorët u zhdukën në drejtim të paditur.
Ndihma
Në gjendje alarmi, dëshmitarët në këtë ngjarje dërguan me shpejtësi në spital tre të plagosurit, të cilët momentalisht gjenden nën kujdes mjekësor, jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se u vu në kërkim të autorëve dhe arriti të prangosë dy prej të dyshuarve, Markel Bushon dhe Gentian Kostën, ndërsa kërkohet ende 18-vjeçari Mateo Alikaj. Të tre djemtë përballen me akuzat për veprat penale “Vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Gjykata e dërgon nga burgu në arrest shtëpie Ylli Çengën
Peshkopi - Gjykata e Peshkopisë ka liruar nga burgu Ylli Çengën, babain e 10-vjeçarit Bekim Çenga, të vrarë në Peshkopi një vit më parë. Gjykata e rrethit ka ndryshuar ditën e djeshme masën e sigurisë për Ylli Çengën nga “arrest me burg” në atë të “arrestit shtëpiak”. Dy muaj më parë, babai i fëmijës së vrarë kërcënoi me vrasje dajën e Shpëtim Zizës. Ky i fundit, edhe pse i sëmurë mendor, rezultoi se në momentin e vrasjes ka qenë plotësisht i përgjegjshëm. Familjarët e Zizës këmbëngulën që gjykata të rishikonte vendimin, duke ngritur zërin për bashkëpunëtorë të tjerë.
Aksidenti rrugor, dy të plagosur
Elbasan – Një aksident në aksin rrugor Elbasan-Tiranë ka sjellë plagosjen e dy personave. Një 62-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital. Mjekët po përpiqen t’i shpëtojnë jetën të moshuarit Ramazan Zaçe, ndërkohë që nuk ka njoftime për gjendjen e të plagosurit tjetër. Policia shkoi menjëherë në vendin ku ndodhi aksidenti, pranë fshatin Gracen. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se makina me targa Tr 7974 L ka dalë jashtë rruge. Po hetohen shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
29 Tetor 2008