Shushica, aty ku të gjallët ndajnë tokën me të vdekurit
Nuk duhen më tepër se 7 km për të arritur në fshatin Shushicë, të rrethit të Elbasanit, i njohur në zonë sa për ujin e ftohtë të Byshekut, aq edhe për banorët autoktonë, që ndoshta janë të vetmit që nuk e njohin migrimin drejt qytetit të Elbasanit.
Shushicarët jetojnë këtu prej qindra vjetësh, veçse u asimiluan nga turqit, për t‘u kthyer në myslimanë.
Fshati
Një tabelë treguese dygjuhëshe anglisht-shqip, na tregon se kemi hyrë në fshat. Shushica të shfaqet gati e tëra në fushë, me ujë të bollshëm si në dimër dhe verë që buron nga kodrat e malet, si themele të zonës së Shpatit që sikur të thonë se historia e kësaj zone nis nga këtu. Edhe vendasit kështu thonë. Historia e Shpatit nis nga Shushica, që për shkak të pozicionit gjeofizik, ka qenë e detyruar të "shpronësohet" nga turqit, për të mbajtur të gjallë identitetin ortodoks të Shpatit. I gjithë ky shpjegim nuk do të kishte asnjë vlerë, nëse ende në Shushicë, nuk do të ekzistonte toponimi "te Kisha e Madhe", që mbetet pikërisht pllaja, në të cilën qe ndërtuar fshati afro pesë shekuj më parë e nga ku kalonte gati mes për mes rruga e vjetër "Egnatia". Toponimi "te Kisha", ka mbetur e vetmja nga origjina etnike fetare, por historinë, për fat të mirë e për fat të keq, e ka shkruar uzurpimi turk disa shekuj më parë.
Historia
Në të vërtetë historia e këtij fshati nis nga fillimet e ngulmimeve të tij në "kodrat e buta në krye", siç e quajnë vendasit. Atje, ku qindra vjet më parë do të ngriheshin shtëpitë e para, tashmë ka mbetur nën tokë gjithçka nga jeta që ka gëluar mbi tokë. Gjithkush mund të krenohet për varret e këtij fshati që në të vërtetë mund të konsiderohet historia e "shkruar" ndër breza. Çdo gjë që ka ndodhur mbi këto troje ke mundësinë "ta lexosh" mbi varre. Ndoshta, më tepër se pesë shekuj më parë, në këtë fshat ka mbetur e paprekur etnia fisnore, e vetme në rrethin e Elbasanit, gjë që duket se është përcjellë te varrezat. Afro një vit më parë kreu i komunës, Lutfi Lala, do të ankohej se tokat e fshatit ia paskësh marrë shteti! Në fakt Lala, me bashkëfshatarët e tij, kishin vendosur "fshatçe" që gjysmën e tokës ta mbanin të gjallët dhe gjysmën tjetër t‘ua falnin përjetësisht të vdekurve, ashtu siç ishte amaneti i trashëguar ndër breza. Aktualisht, kështu është dhe sot. Të pesëmbëdhjetë lagjet e fshatit, kanë aq tokë sa kanë dhe parcela varresh, të ndara sipas fiseve të hershme në këtë vendbanim. Më saktë, gjysma e sipërfaqes së tokës ushqen të gjallët dhe gjysma tjetër për t‘u prehur të vdekurit. Jo pak, por janë 15 parcela varresh, që ruhen me fanatizëm nga të gjithë, nuk preken nga askush. Në raste vdekjesh, secili fis e di mirë ku e ka parcelën e vet. Madje, aq e fortë është kjo traditë, saqë edhe regjimi i komunizmit nuk i bashkoi në një parcelë të vetme të vdekurit. Zakoni, kushedi sa shekullor, ende nuk është shkulur nga ky fshat që secili fis të ketë varret e veta. Kësisoj, kanë qenë e kanë mbetur "lagjet" e të vdekurve mes gjelbërimit që nuk njeh dimër, ndërsa të gjallët, në pjesën tjetër të tokë së mbetur.
"Ne rrihemi me njëri-tjetrin për një pëllëmbë tokë, por ama, kur mendojmë se ku do të shkojmë, ngushëllojmë vetveten", pohon një 89-vjeçar që takojmë në fshat.
Varrezat
"Tokën për varre e kemi të siguruar, të ndarë sipas "llagapeve" që mbajmë e nuk zihemi kurrë, pse atje jemi përjetësisht", pohon Riza Polisi, një tjetër banor i Shushicës. Historia e varreve në këtë fshat i ngjan një ansambli të madh shekujsh, ku spikat edhe dallimi mes varrit të burrit dhe të gruas së vdekur, por edhe mes të bardhëve e atyre të paktë me ngjyrë. Për gratë, guri i varrit, më i thellë në tokë, do të gdhendej në formën e shamisë që edhe sot mbahet në kokë nga moshat e mesme. Për burrat, varri me qeleshe. E përbashkëta te të gjithë, varret që nga koha përtej Skënderbeut e gjer në ditët tona, mbetet se janë në tokat në krye të fshatit. Janë në një vend, ku me shkronja e ku pa shkronja, ku persisht e ku turqisht, shkruhen emrat e të vdekurve. Ndërsa varret e reja, vetëm në shqip e me pllaka mermeri.