E Diel, 1 Nëntor 2026

OSSH: PS-ja manipulon, faturat e dhjetorit, të larta, se është rritur konsumi



Operatori i Sistemit të Shpërndarjes përgënjeshtroi me fakte pasditen e djeshme deklaratën e Partisë Socialiste se po abuzohet me faturat e energjisë elektrike. Pas publikimit të një fature energjie pa emër abonenti dhe me të dhëna të mangëta nga drejtuesi socialist Ilir Beqja, drejtori i Shitjeve në OSSH, Ilirian Shkëmbi, ka zbuluar para mediave se kjo faturë i përket vetë zotit Beqja. OSSH-ja konfirmoi se abonentit socialist Ilir Beqja, energjia i është faturuar me korrektësi ose, thënë ndryshe, për muajin dhjetor 2008 ai ka konsumuar njësoj energji si në periudhën kur partia e tij ishte në pushtet. Zoti Shkëmbi tha se kjo është një përpjekje e dështuar e Partisë Socialiste për të manipuluar qytetarët. "Manipulimi i PS-së bëhet më i rëndë sepse fatura e energjisë e prezantuar nga Beqja me të dhëna të mangëta, pas verifikimeve të bëra, del se i përket kontratës se zotit Beqja. Ai ka konsumuar 615 kilovatë orë energji për muajin dhjetor. Kjo kontratë, nga viti 2001 ka të njëjtin nivel konsumi si deri më sot për muajt dhjetor, janar, shkurt", - u shpreh drejtori i Shitjeve në OSSH. Kompania e shpërndarjes së energjisë u bëri thirrje konsumatorëve të mos manipulohen nga spekulimet e Partisë Socialiste, e cila ka si synim të vetëm përhapjen e panikut tek qytetarët. Duke e përjashtuar rastin e faturës së zotit Beqja si një rast abuzimi, zoti Shkëmbi nuk mohoi se mund të ketë fatura të fryra padrejtësisht. Por ai u bëri thirrje qytetarëve që për çdo ankesë të kërkojnë zgjidhje pranë OSSH-së. "Vetëm OSSH-ja mund t'u japë përgjigje korrekte problemeve të abonentëve me energjinë dhe jo PS-ja, e cila vetëm sa i shfrytëzon dhe i manipulon qytetarët", - tha drejtori i Shitjeve në OSSH. Zoti Shkëmbi siguroi se ndaj të gjithë punonjësve të saj që verifikohen në abuzim me detyrën do të merren masa, jo vetëm me largim nga puna, siç ka ndodhur deri më tani, por ata do të çohen për ndjekje penale. Drejtuesit e OSSH-së thanë se faturat e dhjetorit mund të jenë më të larta se muajt e tjerë, për shkak të rritjes së konsumit nga vetë abonentët. Vetëm gjatë dhjetorit janë konsumuar 120 milionë kilovatë orë më shumë se në nëntor. Por me gjithë rritjen e konsumit, OSSH-ja garantoi qytetaret se ashtu si në vitin 2008, pavarësisht se kjo nuk i pëlqen Partisë Socialiste, kompania do të vazhdojë furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›