Vjedh kazanin e pagëzimit për ta bërë kazan rakie
Përmet
Grabit kishën e “Shën e Premtes”, pranga një 31-vjeçari. “Hajduti artizan” mori edhe sendet prej bronzi të objektit të kultit
Vjedh kazanin e pagëzimit të kishës “Shën e Premte” në Përmet për ta bërë kazan rakie, përfundon në pranga “hajduti artizan”.
Burime zyrtare nga policia e Përmetit bëjnë të ditur se një ditë më parë është arrestuar në flagrancë 31-vjeçari Françesko Kasaj, lindur dhe banues në fshatin Zhepovë të Komunës Sukë, Përmet. I riu dyshohet se është autori i grabitjes së kishës së “Shën e Premte” në Përmet. Bastisja e objektit të kultit është denoncuar rreth orës 12:30 të së shtunës nga epitropi i kishës, që ndodhet në lagjen “Varosh” të qytetit Përmet. Kleri ortodoks njoftoi policinë se e kishte gjetur derën e kishës së hapur. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së Komisariatit të Përmetit, si dhe grupi hetimor, ku kanë konstatuar se dera e kishës ishte hapur me forcë. Nga këqyrja e brendshme e kishës rezultoi se ishin vjedhur një kazan bakri që shërbente për pagëzimin e besimtarëve, dy shandanë që mbajnë qirinj, dy kryqe metalikë bronzi, kupa e kungimit me ngjyrë argjendi, një tabaka kungimi, xhezve, ibrik dhe 6 gota të gjitha me material bronzi, thikë kungimi, një objekt metalik në formë zogu etj.
Specialistët e parandalimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Përmet, nga informacionet e marra në rrugë operative, si dhe nga veprimet e shpejta hetimore, kanë bërë të mundur zbardhjen e plotë të kësaj vepre penale dhe rreth orës 18:00 të së shtunës kanë arrestuar 31-vjeçarin Kasaj. Ai dyshohet si autor i mundshëm i ngjarjes, ndërkohë që në momentin e ndalimit atij ju gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale të gjitha sendet që mungonin në kishë. Kasaj, një pjesë të tyre i kishte fshehur në disa shkurre larg kishës, ndërsa pjesën tjetër në një banesë të braktisur. Në përfundim të veprimeve të para procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të “Vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal. Burime të pakonfirmuara nga policia bëjnë të ditur se autori i vjedhjes ka deklaruar se e kishte vjedhur kazanin prej bakri të kungimit për të ribërë me materialin e tij një kazan rakie.
#