E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i qeverisë dorëzon bizneset e vogla

Durrës
Dhjetëra persona fizikë kanë çrregjistruar aktivitetet, [pir janë hapur edhe biznese të reja

Pas vendimit të qeverisë për kalimin në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, jo pak biznese janë detyruar të mbyllin aktivitetin e tyre në rajonin e Durrësit. Mbi bazën e vetëdeklarimit për xhiron vjetore në këtë rajon janë rreth një mijë biznese të vogla që kalojnë në biznes me TVSH, kalim ky që për shumë prej tyre konsiderohet i papërballueshëm për shpenzimet që parashikon. Pranë QKR-ve në këtë muaj të parë të vitit janë prezantuar mjaft persona fizikë për të kërkuar mbylljen e biznesit të tyre. “Janë afro 10-15 subjekte që çregjistrojnë aktivitetin në javë”, pranon kreu i tatimorëve durrsakë, Shkëlqim Fortuzi. Javën e kaluar, Nazmie K. nga Durrësi, thotë për gazetën se u detyrua ta mbyllë dyqanin e saj ushqimor, pasi nuk mund të mbijetojë e përfshirë në skemën e TVSH-së, ndërsa shpreson që qeveria të mendojë për lehtësira në këtë drejtim dhe jo të rëndojë subjektet, duke ndikuar drejtpërdrejtë në ekonominë e familjeve shqiptare. Një tjetër person fizik, i cili ka një bar të vogël ku punon vetëm, tregon se është në dilemë për ta mbyllur ose jo biznesin: “Kalimi në biznes me TVSH nuk ka vetëm detyrimin e punësimit të një ekonomisti kontabël, por edhe një varg detyrimesh të tjera që nuk bazohen në fakte. Punoj vetëm unë në lokalin që kam. Bëj shërbimin dhe në bufe dhe si kamerier. Lokali është i vogël dhe rri gjithë ditën deri në mbrëmje vonë për ta mbajtur hapur. Kalimi në skemën e re më ngarkon dhe me një numër punonjësish, për të cilët duhet të shlyej dhe sigurimet shoqërore çdo muaj, ndërkohë që të punësuarit nuk ekzistojnë, po ti je i detyruar të paguash për ta”. Në tri javët e para të janarit janë mbyllur rreth 40 biznese, po 30 të tjera janë hapur. Mbylljen e bizneseve që përfshihen në skemën e TVSH-së dhe çeljen e të rejave, kreu i tatimorëve e sheh si një përpjekje brenda familjes për të mbyllur biznesin e mëparshëm e hapur një të ri, në emër të një tjetër familjari, me qëllim shmangien nga detyrimet që rrjedhin. Në rajonin e Durrësit janë të regjistruara rreth 5500 subjekte të biznesit të vogël dhe 1000 prej tyre në bazë të xhiros vjetore mbi 5 milionë lekë të deklaruara. Deri në fund të janarit është parashikuar që 380 subjekte të kalojnë me TVSH dhe që nga ai moment brenda 15 ditëve këto biznese duhet të pajisen me kasat fiskale, pasi në të kundërt, edhe ndaj tyre do të nisin penalizimet financiare, ashtu si po veprohet me bizneset e mëdha.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›