E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi i rrallë i një bariu sarandjot

Lopët e egra Gjedhët lëshohen mëngjeseve në pyll dhe mblidhen mbrëmjeve në vathë. Nuk milen asnjëherë

Një biznes sa i rrallë aq edhe i kërcënuar është ai që ka ngritur Adrian Aliu në pyllin e Kardarasë, në Markat. 25 lopët e tij rriten në kushte të egra dhe mishin e tyre gjithkush do të donte ta kishte në tryezë. Ai thotë se ka gjetur veten në këto vite të vështira dhe ia ka dalë të jetojë në një zonë si Markati, ku moshatarë të tij janë të paktë, pasi kanë shkuar në emigracion, shumica në Greqi. Ndërsa ai ka pranuar të bëhet lopçar, me ndryshimin se tufa e tij nuk përbëhet nga lopët e fshatit, por nga lopë të egra.

“Biznesi im këtu në Markat është i përbërë nga 25 lopë dhe viça. Dhe e dini që fitoj pa u lodhur shumë e duke i kënaqur njerëzit”, thotë Adriani. është pak e vështirë ta besosh se Adriani ndihet rehat me këtë punë që i ka gjetur vetes këtu, ku kufiri me Greqinë është vetëm 10 km larg. Dihet se lopa do kullotë e do që ta ngasësh nga prapa për të mos rënë në barëra që mund ta helmatisin, do ujin dhe vathën, do mjelë e pastruar. Të tëra këto Adriani i bën me një reduktim të habitshëm.
“Kur thua lopë, mendon të tëra këto. Por gjithë lehtësirat vijnë ngaqë lopët që mbarështoj janë të egra, apo siç u thonë në fshat, të lëshuara hergjele”.

E kjo për 37-vjeçarin Adrian Aliu do të thotë “privilegj”. Ai vetëm sa i nxjerr në mëngjes nga vatha simbolike e ngritur fare pranë pyllit të Kardarasë, atje ku kullosin dhe në darkë duket tek ato. “Në mëngjes e në darkë dalin e kullosin dhe ditën futen në pyll, se i ngacmon miza. Në darkë i fut në vathë”, vazhdon rrëfimin bariu i lopëve të egra.

Kështu as për kullotë nuk i duhet të mendojë, se ato e gjejnë ushqimin vetë, as për ujë e as për t’i mjelë. “I kam vetëm për mish e për të më shtuar viçat”, tregon Adriani. Ndërkohë që nuk del keq me llogarinë, ai thotë se i mbetet mjaft kohë e lirë për të bërë punë të tjera në shtëpinë e vet, që është duke e ndërtuar thuaj nga e para, me projekt e me pajisje nga më modernet që i ka parë syri.

“është edhe shumë ekonomike, edhe shumë bukur të rrosh me këto lopë, pasi nuk kanë shpenzime dhe nuk duan shumë shërbime. Unë i mbaj vetëm për prodhim mishi, pra për viça dhe as nuk i mjel. Kjo lloj race është vetëm për mish”, shpjegon ai. Adriani tregon se për këtë vit ka rreth 15 lopë që pjellin, që për të do të thotë 15 viça. Vendi i kullotjes së tyre quhet Kardhara, në pyllin e Markatit.
Sa për mishin e tyre, ai thotë se është shumë i shijshëm, pasi nuk kanë fare dhjamë. E tregton në fshatin e tij e në fshatrat përreth, sidomos në ato të banuara nga minoritarë grekë, deri në Gravë e Qesarat, ku vijnë shpesh emigrantë, që u ka xhepi euro.

“Nuk i përballoj dot kërkesat e njerëzve të mi, prandaj nuk çoj as në restorante në Sarandë”, rrëfen lopçari.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›