Rruga e spitalit, e dëmtuar prej 10 vitesh
Prej gati 10 vitesh rruga që të çon në urgjencën e spitalit “Xhavit Mara” në qytetin e Burrelit është totalisht e dëmtuar dhe askush nuk është kujtuar për të vënë dorë mbi të. I gjithë segmenti prej rreth 300 metrash nga bulevardi kryesor i qytetit e deri te spitali, është tejet i amortizuar. Pranë këtij spitali shkojnë për të marrë ndihmë mjekësore edhe banorë nga rrethi i Bulqizës, pasi në spitalin e Bulqizës mungojnë mjekët specialistë. Në këtë segment rrugor ka defekte edhe në rrjetin e kanalizimeve anësore, gjë që ka sjellë edhe këtë gjendje skandaloze të rrugës. Burime nga drejtoria e spitalit bëjnë me dije se disa herë është kërkuar fond investimesh nga qeveria, për të ndërhyrë në këtë segment, por në asnjë moment nuk është mundësuar dhënia e këtij fondi. Banorët ankohen se rruga është tejet e dëmtuar dhe sipas tyre duhet që kryetari i Bashkisë së Burrelit, Skënder Lleshi, të insistojë më tepër pranë qeverisë. Sipas tyre fakti që kreu i bashkisë është mjek, duhet të ndikojë më tepër që ai të ndërhyjë për rehabilitimin sa më shpejt të rrugës.
#