Harrohet dëmshpërblimi i premtuar për të prekurit nga rrëshqitjet e tokës
Banesat e dëmtuara nga rrëshqitjet e tokës, ende nuk e kanë përfituar dëmshpërblimin e premtuar nga qeveria. Ndonëse shumë prej tyre janë bërë të pabanueshme, sërish autoritetet shtetërore nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për zgjidhjen e problemit të këtyre familjeve. Ndërsa ankesat e personave të mbetur pa strehë shkojnë deri në kërcënim për protesta të pandërprera dhe greva urie, institucionet vendore dhe ato qendrore fajësojnë njëra-tjetrën. Njësitë vendore, komunat ku janë shkatërruar shtëpi si pasojë e rrëshqitjeve të tokës deklarojnë se problemi i dëmshpërblimit ka mbetur në Këshillin e Qarkut. Hamza Toro, kryetar i Komunës Kurjan në rrethin e Fierit, ku u shkatërruan mbi 45 shtëpi, thotë se procedurat e dëmshpërblimit kanë mbetur në institucionet më të larta vendore në rreth, siç është Këshilli i Qarkut dhe Prefektura. Toro shpjegon gjithashtu, se Komuna Kurjan për të plotësuar dosjen dhe kërkesën për marrjen e dëmshpërblimeve ka shpenzuar një fond të madh. Në të njëjtën linjë qëndrojnë edhe krerët e komunave të tjera të dëmtuara nga fenomeni i rrëshqitjeve të tokës në Qarkun e Fierit.
Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit të Qarkut, Luan Muçaj, thotë se sektori përkatës i ngritur për emergjencat ka përfunduar procesin e verifikimit dhe përpilimit të dëmeve dhe dosjet i ka dërguar drejt Prefekturës së Fierit. Por, ndryshe deklarohet në prefekturë. Prefekti Bujar Hasaj thotë se janë institucionet në varësi të tij, si dhe komunat ato që kanë vonuar realizimin e raporteve për dëmet brenda afateve të përcaktuara me ligj. “Vonesat kanë ardhur nga komunat. Ato nuk kanë dorëzuar ende raportet përkatëse. Këshilli i Qarkut ka vonuar një pjesë të madhe të dosjeve”, pohon një zyrtar i prefekturës, ndërkohë që prefekti Bujar Hasaj thotë se për dëmshpërblimin e banesave më të dëmtuara ai është angazhuar edhe personalisht.
Numri i shtëpive të dëmtuara nga rrëshqitjet masive të tokës shkon në 172 në të gjithë Qarkun e Fierit. Këto shtëpi pothuaj janë rrëzuar dhe në to nuk mund të banohet. Ato ndodhen në komunat Hekal, Ngraçan dhe Qendër në Rrethin e Mallakastrës, në Kurjan e Ngjeqar në rrethin e Fierit, si dhe në Hysgjokaj, Ballagat e Grabian në Rrethin e Lushnjës.
#