E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denis Gina u interesua për vrasjen e Tan Sallakut

Dëshmitari Shpëtim Xhilaga në gjykatë: Miqësia me shoqëruesin e ministrit të Mbrojtjes

Procesi gjyqësor ndaj 17 të pandehurve të bandave të Durrësit ka vazhduar dje me pyetjen e dëshmitarit Shpëtim Xhilaga, i cili ka treguar detaje nga vrasja e Dritan Sallakut. Sipas dëshmitarit,
makina që u përdor nga djemtë e grupit të Lulzim Berishës për të vrarë Sallakun në Durrës në tetor 1998, ka qenë pronë e tij. Xhilaga pretendoi se makinën ia kishin vjedhur në tetor të vitit 1998, por nuk e dinte në çfarë rrethanash dhe në cilin vend. Madje, ai asnjëherë nuk ishte interesuar për makinën e vjedhur, duke i thënë gjykatës se nuk e kishte problem për aq lekë të humbura, pasi fitonte aq shumë në një ditë sa nuk i numëronte dot.

Shpëtim Xhilaga vazhdoi më tej se djali i tij, Denis Xhilaga, ishte shumë shok me Lulzim Berishën, ndërsa vetë kishte pasur miqësi me Denis Ginën. Gina dhe Berisha kanë qenë kundërshtarë dhe mes tyre ka pasur kontradikta. “Makina tip BMW me ngjyrë të zezë u gjet e braktisur në Durrës dhe brenda saj ishin edhe faturat e lokal ‘Berluskonit’ që menaxhonte Shpëtim Xhilaga dhe djali i tij”, tha prokuroria, ndërsa dëshmitari saktësoi se vetë Denis Gina, 10 ditë pas vrasjes së Tan Sallakut, është interesuar për autorët.

Dëshmitari saktësoi edhe një detaj tjetër, shkuarjen e djalit të tij para vrasjes së Tan Sallakut në Zvicër. Në datë 21 tetor të vitit 1998, djali i tij është kthyer dhe është pritur me makinën e Ministrisë së Mbrojtjes që drejtohej nga shoqëruesi i ish-ministrit Luan Hajdaraga. Dëshmitari deklaroi se i kishte kërkuar vetë shoqëruesit të Hajdaragës të shkonte me të për të pritur djalin. Prokuroria deklaroi se në Rinas, ai së bashku me djalin është marrë nga Policia e Komisariatit Nr. 3 dhe është vënë në dijeni për ngjarjen që kishte ndodhur në Durrës.

Në fund të dëshmisë, e cila zgjati disa orë, dëshmitari bëri një ballafaqim edhe me Adriatik Colin. Ai tha se nuk e njihte Colin, por ky i fundit e kundërshtoi, duke i thënë se në kohën kur janë takuar të dy ka qenë me flokë. Prokuroria deklaroi se edhe djali i dëshmitarit, Denis Xhilaga, është në listën e dëshmitarëve, por ndodhet në Itali.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›