Biznesi i turizmit drejt greminës, 25% prenotime
DURRES/ OERD ULQINI
Biznesi i hoteleri-turizmit në Durrës ndodhet një hap larg greminës. Kriza botërore në ekonomi, zgjedhjet, moti i paqëndrueshëm, konkurrenca nga informaliteti hotelier si dhe mungesa e kushteve janë disa prej shkaktarëve që kanë goditur rëndë fitimet në këtë sektor. Operatorët turistikë janë drejt falimentimit dhe vera e vitit 2009 ka shënuar minimumin e fitimit që nga vitet 1993-‘94 kur janë shënuar fillesat në Durrës për këto shërbime. Deri në javën e dytë të muajit korrik prenotimet në hotele kanë arritur jo më shumë se 25%, krahasuar me një vit më parë. Shkak kryesor është mosbesimi nga kriza ekonomike që ka goditur të gjithë botën, ku nuk bën përjashtim as vendi ynë, por edhe disa faktorë të tjerë. Nga ana tjetër mungesa e promocionit të paketave turistike shqiptare drejt vendeve që nuk e kanë këtë lloj klime, si ato Skandinave, Çekia, Hungaria, Zvicra etj. ka bërë që numri i turistëve të komunitetit evropian të jetë i ulët. Një rrugë për të dalë nga kriza është edhe bashkëpunimi i administratorëve të hoteleve. Nga Dhoma e Tregtisë së Durrësit mësohet se vetëm 10% e turistëve vijnë nëpërmjet agjencive, ndërsa pjesa tjetër e klientelës i lihet spontanitetit. Qindra milionë euro janë derdhur për investim nga privati për ndërtimin dhe akomodimin e pushuesve. “Këto lekë shteti duhet t’ia kthejë biznesit nëpërmjet investimit në të gjithë rrjetin inxhinierik, i cili në bregdetin durrsak është ndër më problematikët”, tha kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Andrea Xhovara. Mbi 100 hotele gjenden në plazhin e Durrësit. Numri i pushuesve këtë vit është shumë më i vogël nga çfarë pritej. Ndërkohë që po mbyllet gjysma e parë e korrikut, koha për të rikuperuar fitimet është shumë e vogël, ndaj ky vit do të mbetet në kujtesë si më i dështuari për sektorin hotelier në Durrës. Ndërsa të dhënat e turizmit janë tepër të vakëta, strategjia për ta shndërruar Durrësin në një nyje të pashmangshme tranziti në rajon duket se po bëhet realitet. Por ky fakt nuk do të thotë automatikisht se aty ku ka lëvizje të madhe tranzit ka edhe shumë turistë. Autostrada e ndërtuar së fundmi mes Shqipërisë dhe Kosovës ka pasur një efekt mjaft pozitiv në ekonominë e dy shteteve ballkanike. Këto ditë është rritur në mënyrë të dukshme fluksi i pasagjerëve që kalojnë tranzit nga porti i Durrësit, me destinacion përfundimtar Kosovën. “Vetëm tre ditët e fundit numri i automjeteve ka arritur në 5 mijë, rreth 25 % më shumë se në ditët e tjera normale. Rritje të dukshme shënojnë edhe treguesit e fluksit të pasagjerëve”, thotë drejtori i Doganës së Durrësit, Arben Ibro. Por siç duket të gjitha këto lëvizje kanë qenë tranzit dhe shumë pak prej tyre janë akomoduar në njësitë turistike të Durrësit.