E Diel, 1 Nëntor 2026

Liberalizimi i vizave me BE-në ndez debatin në Beograd

Problem kryesor i qeverisë konsiderohet përjashtimi i serbëve që jetojnë në Kosovë nga procesi

Blerina Olldashi
Pas lajmit për liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian, në Serbi është ndezur një debat i ashpër nëse vendi duhet të pranojë kushtet e vendosura për futjen në të ashtuquajturën “Lista e bardhë e Shengenit”. Autoritetet serbe kanë bërë të ditur se nuk do të pranojnë kurrsesi njohjen e Kosovës si kusht për afrimin me BE-në. Ditën e sotme në Bruksel do të bëhet publik vendimi se që prej një janarit 2010 do të hiqet regjimi i vizave Shengen për banorët e Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë. Nga ky vendim është përjashtuar Kosova për shkak se ajo nuk është njohur nga të gjitha vendet e BE-së. Liberalizimi i vizave nuk do të jetë i vlefshëm për qytetarët serbë me vendbanim në Kosovë. Zëvendëskryeministri i Serbisë Bozhidar Gjeliç deklaroi se liberalizimi i vizave nuk do të thotë njohje indirekte apo direkte të pavarësisë së Kosovës. “Serbia nuk do të heqë kurrë dorë nga politika e saj shtetërore dhe nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Serbia nuk ka polici në Kosovë, prandaj është e pamundur që atje të lëshohen pasaporta. Megjithatë Serbia do të vazhdojë lëshimin e pasaportave edhe për qyetarët e Kosovës e Metohisë. Kritikët në Serbi më parë kanë pohuar se Serbia me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim me BE-në, do të njohë pavarësinë e Kosovës. Tani thonë se kjo do të ndodhë me pranimin e liberalizimit të vizave, por as kjo nuk është e vërtetë”,- shprehet Gjeliç. Problemi më i madh aktual për palën serbe është se si të furnizohen me pasaportat qytetarët serbë të Kosovës. Autoritetet e BE-së kërkojnë që pasportat të mos jepen për ata që kanë vendbanim në Kosovë, ndërsa zhvendosja e vendbanimit do të thoshte se ata nuk janë më banorë të saj. “Qëllimi i qeverisë serbe është që prej një janarit 2010 të sigurojmë mundësinë e udhëtimit pa viza për të gjithë qytetarët tanë. Sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk kemi policinë tonë në Kosovë, megjithatë ne do të hartojmë një procedurë të posaçme për qytetarët me vendbanim në Kosovë”.
Vendimi për liberalizimin e vizave shihet me dyshim nga opozita në Serbi, pasi sipas tyre pranimi i kushteve të vendosura nga BE-ja diskriminon serbët që jetojnë në Kosovë dhe Metohi. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike Serbe në opozitë, Nenad Popoviç shprehet: “Nga ky veprim i qeverisë bëhet diskriminimi më drastik i mundshëm i qytetarëve të Serbisë që jetojnë në Kosovë e Metohi. Qyetarët e atjeshëm kanë votuar në zgjedhje, paguajnë tatime dhe kryejnë shërbimin ushtarak në Serbi. Ata duhet të kenë të drejta të barabarta si të gjithë qyetarët e tjerë”. Opozita pohon se qeveria serbe dhe Presidenti Boris Tadiç do të tradhëtonin vendin në qoftë se e pranojnë marrëveshjen për liberalizimin e vizave. Ndërkohë ish-ministri i jashtëm i Serbisë, Goran Svillanoviç e konisderon debatin për pajisjen ose jo të kosovarëve me pasaporta serbe, të parëndësishëm. “Komisioni Europian po përgatitet që të fillojë punën në hartimin e studimit të kushteve për anëtarësimin e Kosovës. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë kemi të bëjmë me një procedurë të veçantë vetëm për anëtarësimin e Kosovës, që është shumë më e rëndësishme se i gjithë debati për regjimin e vizave”,- shprehet Svillanoviç.

Ish-përfaqësuesi i Bosnjës: “Heqja e vizave për Serbinë, gabim i BE-së

Ish-përfaqësuesi i lartë për Bosnjën, Kristian Sharz Shilling, në një intervistë për të përditshmen gjermane “Bild” kritikon Bashkimin Europian lidhur me përjashtimin e Bosnjës dhe Kosovës nga procesi i liberalizimit të vizave, por edhe për heqjen e vizave për Serbinë. “Heqja e vizave për Serbinë është turpi më i madh i BE-së. Me këtë veprim BE-ja po shpërblen vrasësit e Srebrenicës, që kryen gjenocidin më të rëndë pas Luftës II Botërore në Europë. BE-ja po bën një gabim të rëndë politik që me një arsyetim gjoja “teknik” po lë jashtë procesit të liberalizimit të vizave Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën, mbijetesa e të cilave është siguruar përmes sulmeve ushtarake të NATO-s”,- theksoi Shilling. “Në Bosnjë, Serbia kreu gjenocidin më të madh në Europë që nga Lufta II Botërore duke vrarë e masakruar qindra mijëra civilë të pafajshëm. Dhe pikërisht tani kur po shënohet përvjetori i 14-të i masakrës së Srebrenicës, Bashkimi Europian lajmëron se serbët do të kenë të drejtë lëvizjeje të lirë nëpër të gjithë Europën, dhe kjo nuk ndodh për qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës”,- tha Shilling.

Kosova dorëzon në GJND deklaratën argumetuese prej 150 faqesh

Republika e Kosovës pritet të dorëzojë brenda kësaj jave në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, deklaratën e dytë të argumenteve për pavarësinë e shpallur më 17 shkurt 2008. Ministri i Jashtëm Skënder Hyseni bëri të ditur se deklarata e dytë do të përmbajë përafërsisht 150 faqe. “Deklarata do të përmbajë kryesisht komente mbi deklaratat e para me shkrim që kanë bërë vendet e ndryshme në favor të Serbisë, por për fatin e mirë të Kosovës numri i këtyre vendeve është i vogël”,- ka deklaruar ministri i Jashtëm kosovar. Hyseni nuk ka dhënë detaje, duke respektuar Kodin e Gjykatës Ndërkombëtare sipas të cilit nuk duhet të bëhet publike përmbajtja e deklaratave deri në fillimin e seancave dëgjimore që pritet të fillojnë më 1 dhjetor. Dokumenti i Kosovës, deklarata e parë prej rreth 200 faqesh është dorëzuar në gjykatë para tre muajsh, më 17 prill.

Busek zgjidhet president i Parlamentit Europian

Ish-kryeministri i Polonisë, Jerzhi Busek është zgjedhur president i Parlamentit Europian duke u bërë në të njëjtën kohë anëtari i parë i një ish-shteti komunist i cili udhëheq asamblenë parlamentare. Ai fitoi votat e 555 nga 736 deputetët e Parlamentit Europian. Buzhek, 69 vjeçar, ishte kryeministër i Polonisë në periudhën 1997-2001. Grupet parlamentare të konservatorëve dhe të social-demokratëve në Parlamentin e BE-së ranë dakord për zgjedhjen e liberal-konservatorit Busek i cili prej pesë vjetësh është deputet në Parlamentin e Europës. Ai ka qenë anëtar i Komisionit për Industrinë, Hulumtimet dhe Energjinë, por nuk vepronte në frontin e parë. Busek, i cili nga 1997 deri 2001 ishte kryeministër i Polonisë, konsiderohet si njeriu i balancave, e kundërta e një politikani të prirur nga pushteti.

Vizat, Solana: “Maqedonia në rrugën e duhur për liberalizimin”

Shefi i Politikes se Jashtme të BE-së, Havier Solana gjatë vizitës që zhvilloi në Shkup paralajmëroi se Maqedonia mund të marrë sot propozimin e KE-së për heqjen e vizave. “Ju sjell një lajm të mirë për vendin dhe për ju lidhur me procesin e liberalizimit të plotë të vizave”,- ka deklaruar Solana në një konferencë të përbashket për shtyp me kryeministrin Gruevski. Shefi i diplomacisë europiane ka ftuar autoritetet maqedonase që të kryejnë reformat e parashtruara nga KE-ja dhe të implementojnë ligjet e Marrëveshjes së Ohrit. Liberalizimi i vizave për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi pritet të fillojë nga 1 janari i vitit 2010.

15 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›