E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakra në familjen Gjoni, vdes e moshuara që u qëllua nga dhëndri

Ndërroi jetë në spital 10 ditë pas plagosjes 69-vjeçarja Nadire Gjoni

Luan Kondi

Tiranë - Tragjedisë familjare që ndodhi më 3 korrik pas Fakultetit të Mjekësisë në kryeqytet tashmë i shtohet edhe viktima e katërt. Nadire Gjoni, gruaja 69-vjeçare, e cila kishte marrë plagë të rënda nga plumbat e dhëndrit të saj, ka gjetur vdekjen mbrëmjen e së Hënës në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Mjekët e QSUT-së thanë se plumbat i kishin shkaktuar plagë të rënda të moshuarës.
Ngjarja
Autori i vrasjes së katërfishtë në familjen Gjoni, Petrit Zaimi, kishte shkuar në shtëpinë e vjehrrit për pajtim, por duket se biseda nuk ka shkuar ashtu siç edhe dëshironte ai, ndaj emigranti 40-vjeçar ka nxjerrë armën tip pistoletë dhe në gjaknxehtësi ka qëlluar mbi Azbi Gjonin, 79 vjeç, duke i marrë jetën e më pas duke qëlluar edhe mbi vjehrrën, Nadire Gjoni, të cilën e plagosi rëndë me armë zjarri. Grupi hetimor i policisë mori në pyetje të premten në mbrëmje dhe të shtunën, ish-bashkëshorten e Petrit Zaimit, e cila ishte divorcuar prej disa muajsh nga autori i ngjarjes. Policia deklaroi zyrtarisht se shkak për krimin e rëndë, ku humbi jetën edhe djali 13-vjeçar Klevis Zaimi, ka qenë pikërisht divorci i emigrantit Petrit Zaimi me vajzën e Azbi Gjonit, me të cilën kishte dy fëmijë. Sipas burimeve të policisë, mësohet se arma e zjarrit, e cila është përdorur në kryerjen e krimit, mbahej pa leje nga Petrit Zaimi, i cili në mënyrë të vazhdueshme dyshohet se e ka përdorur atë për të bërë presion ndaj familjes së bashkëshortes, nga e cila ishte ndarë.
Deklaratat
Ish-gruaja e emigrantit Petrit Zaimi deklaroi se ajo dhe i shoqi nuk kishin shkuar mirë, edhe pse 40-vjeçari nuk kishte qenë i dhunshëm ndaj saj. Gjërat duket se ishin përkeqësuar më shumë pas divorcit, gjë që nuk u përjetua mirë nga emigranti i kthyer nga Greqia. Sipas dëshmisë së gruas së Petrit Zaimit, por edhe nga thëniet e personave të tjerë, 40-vjeçari ishte nisur mëngjesin e së premtes nga shtëpia e prindërve të tij në jug të vendit për të ardhur në Tiranë. Ai ka marrë me vete edhe djalin Klevis Zaimi, siç thonë dëshmitarët për policinë, pasi kishte komunikuar me familjen e gruas për një mundësi pajtimi për të mos shkuar deri te divorci. Gjithçka është prishur pas mbërritjes së Petrit Zaimit në banesën e vjehrrit të tij Azbi Gjoni, në Allias. Pas çasteve të para ku komunikimi ishte korrekt, me njëherë 40-vjeçari ka ngritur zërin kur prindërit e ish-bashkëshortes nuk kishin asnjë mundësi për të ndikuar në vendimin e saj. Biseda ka marrë rrjedhë tjetër, duket se është tendosur dhe më pas dhëndri ka nxjerrë armën, duke lënë të shtirë 4 persona, përfshi edhe veten.

Aksidentet, policia ndëshkon tre persona për shkelje të rregullave të Qarkullimit Rrugor

Tiranë - Shërbimet e Policisë të Qarkullimit Rrugor në Kryeqytet, gjatë 24 orëve të fundit ndaluan tre shtetas, nën akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit, me pasoja për jetën". Burimet zyrtare të policisë në kryeqytet, bënë të ditur dje për gazetën “Albania” se u arrestua 28-vjeçari Indrit Rraja, nga Fushë- Kruja. Sipas burimeve të policisë, i riu nga Fushë – Kruja ka aksidentuar me automjetin e tij një 65 -vjeçar, teksa ky i fundit po udhëtonte me motor në segmentin rrugor Vorë - Fushë Krujë, në fshatin Ahmetaq. Për pasojë ka humbur jetën 65- vjeçari, ndërkohë që mbi 28-vjeçarin Rraja rëndon akuza e “shkeljes së rregullave të qarkullimit”. Gjithashtu, “për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, si dhe “largimin nga vendi i ngjarjes”, u arrestua një 16 vjeçar nga Tirana, i cili teksa drejtonte një motor tip “Yamaha” ka aksidentuar në rrugën "Qemal Stafa" në kryeqytet një këmbësor, duke i shkaktuar atij plagë të lehta. “Për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor", u arrestua edhe 27-vjeçari Sokol Mema, nga Vlora. Mema akuzohet se teksa udhëtonte me mjetin e tij, në rrugën “Njazi Meka” në kryeqytet ka aksidentuar 35-vjeçarin Veli Isufi nga Kamza, teksa ky i fundit udhëtonte me një motoçikletë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, të mbështetura dhe nga shërbimet e Policisë së Rendit, si në qytet ashtu edhe në rrugët nacionale e rurale, ndërsa janë të angazhuar në normalizimin e trafikut, konstatimin dhe ndëshkimin e kundërvajtjeve administrative, që bëhen shkak për ndodhjen e aksidenteve. Rrugorët thanë se këto masa vijnë me qëllim uljen dhe parandalimin e aksidenteve dhe po realizohen të mbështetura dhe nga shërbimet e Policisë së Rendit, si në qytet ashtu edhe në rrugët nacionale dhe rurale. Në këtë kuadër, Shërbimet e Policisë Rrugore Tiranë, thanë dje se shohin si domosdoshmëri mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik. Ndaj përmes një deklarate publike, ata kanë ftuar të gjithë përdoruesit e rrugës, në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor.

Gjykata nis procesin ndaj Abdulla Mukës, akuzohet për trafik droge

Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda ka nisur dje procesin gjyqësor ndaj shtetasit Abdulla Muka, i akuzuar për trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Gjermani. Çështja penale ndaj këtij shtetasi është marrë në shqyrtim nga një trup gjykues, që ka për drejtues, gjyqtaren Flora Hajredinaj. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i pandehuri Muka akuzohet për trafikimin e një sasie prej 1 kilogram heroinë nga Shqipëria në Gjermani, në vitin 2008, e cila u bllokua nga policia Gjermane, që arrestoi dhe një shtetas gjerman si posedues të saj. Hetimet u shtrinë në Shqipëri, duke konkluduar se droga ishte siguruar në Shqipëri dhe si i dyshuar në trafikimin e saj, ishte i pandehuri Muka. Pas kësaj, forcat e Policisë së Shtetit dhe Prokuroria realizuan në prill 2009 arrestimin e të pandehurit Muka, i cili tashmë akuzohet për “trafik narkotikësh në bashkëpunim”.

Kanoste gruan në mënyrë sistematike, kapet nga policia pas denoncimit të saj

Pogradec – Forcat e policisë kanë arrestuar në flagrancë 60-vjeçarin Polikron Lilo, lindur në fshatin Alarup të Pogradecit dhe banues në këtë qytet, pasi ndaj tij kishte mbërritur në komisariatin e policisë një denoncim për ushtrim dhune nga bashkëshortja e tij. Kallëzimi i bërë prej saj përmbante akuzën e kanosjes në mënyrë sistematike dhe menjëherë pas kësaj, forcat e policisë kanë shkuar në banesën e Lilos, ku ai ka bërë rezistencë ndaj tyre me një sëpatë. U kryen veprimet procedurale për veprat penale të “Kanosjes” dhe “Kundërshtimit të Punonjësve të Policisë së Rendit Publik” parashikuar nga neni 84 dhe 236/1 të Kodit Penal.

Inspektorati ndërtimor i bashkisë prish 23 objekte pa leje

Elbasan - Inspektorati i Policisë Ndërtimore në bashki prishi dje 23 objekte pa leje, tip kioskash në qendër të qytetit, pranë pallatit të sportit “Tomor Sinani” dhe tek Fakulteti Ekonomik. Burime nga Inspektorati thanë për gazetën “Albania” se “prishja e 23 objekteve është në zbatim të një vendimi të KRRT së bashkisë për prishjen e objekteve pa leje, pasi do të zgjerohet rruga për këmbësorët”. Pronarët e kioskave nuk kundërshtuan prishjet e objekteve, pasi ishin lajmëruar një javë më parë për prishjen e tyre.

Ndalon dy persona, iu kapën në makinë 211 gramë e dyshuar heroinë

Pogradec - Policia e Qarkut Korçë arrestoi dy persona për veprën penale “trafik i lëndëve narkotike”, pasi u kapën në flagrancë duke transportuar një sasi pluhuri e dyshuar droge përmes doganës së Qafë -Thanës (Pogradec). Burime zyrtare të Policisë rajonale të Korçës bënë të ditur se mbrëmjen e së hënës rreth orës 22:00 u arrestuan shtetasit Besnik Hoxha, 20 vjeç, nga Tirana dhe Nexha Kaba, 29 vjeç nga Veleshta e Strugës (Maqedoni). Gjatë kontrollit në automjetin me targë OH 127 IH, të drejtuar nga shqiptaro-maqedonasi Nexha Kaba, Policia gjeti në bagazh një sasi pluhuri e ngjashme me atë të heroinës, me peshë të përgjithshme 211 gramë. Të dy personat po hynin nga Maqedonia në territorin e Shqipërisë nëpërmjet doganës së Qafë-Thanës.

Arrestohet 57-vjeçari, përvetësonte para me anë të mashtrimit

Elbasan – “Shtetasi 57-vjeçar Ilir Allbrahimi u arrestua mëngjesin e djeshëm, pasi akuzohet për veprën penale të mashtrimit”, -bënë të ditur për gazetën “Albania” burime të Policisë lokale. Sipas tyre, Ilir Albrahimi ishte dënuar më parë për veprën penale të “mashtrimit” dhe ishte shpallur në kërkim në bazë të urdhër-ndalimit nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Mësohet se 57-vjeçari në vitin 2005 i kishte përvetësuar me anë të mashtrimit 3000 euro shtetasit Ramazan Meta, ndërsa në 2007 i kishte përvetësuar po me anë të mashtrimit 1500 euro shtetasit Mariglen Dervishi.

Plagosi me dashje një bashkëqytetar, pranga 52- vjeçarit

Elbasan - Shtetasi 52- vjeçar Kujtim Kapja lindur dhe banues në Elbasan u ndalua dje nën akuzën për veprën penale “plagosje me dashje” dhe ndaj tij ka nisur procedimi penal, bënë të ditur për gazetën “Albania” se burime të Policisë lokale. Sipas tyre, procedimi ndaj Kujtim Kapja filloi pasi në fshatin Rrapun, Komuna Qendër Librazhd, gjatë një konflikti për motive të dobëta, goditi dhe lëndoi me mjete të forta shtetasin Elton Rrasa, vjeç 31, lindur dhe banues në lagjen “Emin Matraxhiu” Elbasan, i cili ndodhet në spitalin kirurgjik të Elbasanit nën kujdesin e mjekëve.

Policia aksione në Fier dhe Tropojë për asgjësimin e bimëve narkotike

Tiranë - Aksionet e nisura prej kohësh në vend lidhur me luftën kundër bimëve narkotike, kanë vijuar edhe përgjatë ditës së sotme, ku janë asgjësuar 86 bimë Cannabis sattiva në komunën Hekal të rrethit të Fierit, si dhe 230 rrënjë në komunën Bujan të Tropojës. Aksioni i koduar “Povla 1” nga policia Fier ka konstatuar mëngjesin e djeshëm mbjelljen e bimëve narkotike rreth 2 metra të larta, në dy parcela të ndara, në një sipërfaqe toke publike, në vendin e quajtur fusha e Poçemit. Novruz Calaj 51 vjeç dhe Elton Calaj 19 vjeç, janë emrat e dy të shoqëruarve të dyshuar si poseduesit kryesorë. Shoqërimi i tyre u bë mesditën e sotme, ndërsa u asgjësuan me anë të shkuljes dhe sasia e kanabis sativa. Ndërsa një tjetër aksion i ndërmarrë nga policia e Kukësit, bëri asgjësimin e 230 rrënjëve bimë Cannabis sattiva në rrethin e Tropojës. Bima ishte e mbjellë në një tokë pa pronar, ndërsa nga burimet policore mësohet se kultivimi i tyre në qarkun e Kukësit ka qenë një ndër problemet më shqetësuese të policisë, ku vetëm brenda këtij muaji janë asgjësuar 1100 rrënjë kanabis . Në asnjë prej këtyre rasteve nuk ka pasur persona të shoqëruar nga policia.

15 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›