E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia, në janar pa viza në BE, sot raporti

 

Maqedonia ka marrë lajme të mira nga Bashkimi Evropian mbi procesin e liberalizmit të vizave, duke rritur gjasat se brenda janarit të vitit të ardhshëm, qytetarët me pasaportë maqedonase do të lëvizin pa nevojën e vizave në zonën Shengen. Diplomati i lartë evropian për politikën e jashtme dhe sigurinë, bëri një ndalesë dje në Shkup në vijim të turneut në Ballkan, duke dhënë optimizëm për autoritetet dhe qytetarët e Maqedonisë. Duke folur më tej për procesin e integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, ai tha se nuk sillte me vete një datë për fillimin e negociatave për anëtarësim, por se sillte një frymë të bashkëpunimit konstruktiv dhe të mirë për mënyrën se si ky vend po shkon përpara. Zyrtari i lartë evropian shprehu kënaqësi për atë se si Maqedonia po e përballon krizën financiare, ndërsa bëri thirrje për vazhdimin e procesit të reformave. Solana ka përmendur me autoritetet maqedonase edhe procesin e demarkacionit të kufirit me Kosovën, duke shfaqur shpresën se procesi i shënimit të vijës kufitare të përfundojë së shpejti. Në lidhje me Marrëveshjen e Ohrit, ai vlerësoi se ka përparim, por që mbeten disa çështje të cilat duhet të përfundojnë dhe të zbatohen, siç është përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në administratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›