E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi i vogël, 5 ditë afat për të kundërshtuar tatimet

 

fabiola Çela

Pas vendosjes me detyrim të numrit të të punësuarve në biznesin e vogël, financat kanë përcaktuar edhe rregullat e apelimit. Biznesi i vogël do të ketë vetëm 5 ditë kohë pas përcaktimit të tatimeve për të kundërshtuar referencën. Sipas udhëzimit të ri të financave, do të jetë pikërisht biznesi, i cili duhet të vërtetojë që numri i vendosur nga organet fiskale nuk është i vërteti. Në këtë mënyrë përmbushet edhe hallka e fundit e referencave të qeverisë, ajo e apelimit. Kështu, pasi merr njoftimin e administratës tatimore për përcaktimin e numrit të punonjësve, biznesi ka pesë ditë afat për t'u ankuar me vlerësimin e tatimorëve. Këtë kërkesë duhet ta dorëzojë në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve. Pasi merr kërkesën, kreu i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve brenda pesë ditëve ngre grupin e punës për të rivlerësuar numrin e punonjësve të biznesit që është ankuar.
Udhëzimi
Shumë punonjës në biznesin e vogël punojnë në të zezë, pasi punëdhënësit nuk deklarojnë numrin real të punonjësve të tyre. Për të ulur nivelin e informalitetit në ekonomi, qeveria vendosi që të përcaktojë numrin e punonjësve që duhet të ketë çdo biznes i vogël, në mënyrë që edhe këta punonjës të përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Por shumë biznese nuk e pritën mirë këtë vendim të qeverisë, me argumentin se tatimorët mund të abuzojnë me përcaktimin e numrit të punonjësve. Përballë një situate të tillë, Ministria e Financave hartoi një udhëzim, sipas të cilit biznesi mund të ankohet ndaj tatimorëve. Në udhëzim përcaktohen qartë edhe hapat që duhet të ndjekë biznesi për të animuar vlerësimin e administratës tatimore. "Në rast të kundërshtimit ndaj vlerësimeve të administratës tatimore për numrin e të punësuarve në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1251, datë 10.09.2008, subjekti mbart barrën e provës për të provuar që vlerësimi tatimor është i gabuar, si dhe detyrimin të argumentojë e vërtetojë saktësinë e deklarimeve të bëra nga ana e tij dhe të ndjekë procedurat e ankimimit", thuhet në udhëzim. Ndërkohë brenda 5 ditëve nga marrja e njoftimit nga administrata tatimore, subjekti duhet të bëjë një kërkesë me shkrim pranë drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve për verifikimin e numrit të të punësuarve në terren. Pasi subjekti dorëzon kërkesën me shkrim te drejtori i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, ky i fundit ka për detyrë të urdhërojë strukturën e kontrollit në terren, që brenda 5 ditëve duhet të bëjë verifikim në terren të pretendimeve të subjektit, bazuar në llojin e veprimtarisë, volumin e punës, vendet e punës, regjimin e punës etj., ballafaquar edhe në numrin referues të punonjësve, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 1251, datë 10.09.2008. Pas rivlerësimit, struktura harton në vend procesverbalin mbi numrin e të punësuarve sipas vëzhgimeve në terren, një kopje e të cilit i përcillet drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, një kopje Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe një kopje subjektit ankimues. Në rast të kundërshtimeve mbi procesverbalin, subjekti ka të drejtë të ndjekë procedurën e ankimimit sipas përcaktimeve në ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë".
Sigurimet
Qeveria ka ulur nivelin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Konkretisht duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, norma e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësorë do të ulet me 5 për qind, kjo për pjesën që paguan punëdhënësi. Por ky vendim i qeverisë do të ketë efekte në buxhetin e shtetit. Konkretisht si rezultat i zbatimit të reformës është vlerësuar një impakt negativ prej 4 miliardë lekë më pak në të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe, kjo sepse reforma në sigurime do të prekë përqindjen e paguar nga punëdhënësi, e cila do të ulet nga 20 për qind në 15 për qind. Për këtë arsye është parashikuar që të ardhurat e kontributeve do të jenë 56.191 milionë lekë, nga të cilat 49.812 milionë lekë kontribute shoqërore. Ndërkohë që si rezultat i përmirësimeve administrative dhe reformave të kryera në këtë drejtim do të rritet me 6 për qind numri i kontribuuesve në biznesin e madh. Ndërsa numri i kontribuuesve të biznesit të vogël pritet të rritet me rreth 45.000. Për rrjedhojë, në skemën totale të kontribuuesve parashikohet të ketë një rritje prej 56.400 kontribuues.

Qeveria rekord për referencat

Gjatë dy viteve të fundit biznesi është hasur me një sërë ndryshimesh fiskale të ndërmarra nga qeveria. Kjo e fundit ka vendosur paga reference si për biznesin e madh, ashtu edhe për atë vogël. Vitin e kaluar qeveria vendosi që tatimi mbi të ardhurat personale të jetë 10 për qind për të gjitha kategoritë e pagave, si për punonjësit që punojnë në sektorin privat, ashtu edhe në atë shtetëror. Lehtësim kishte vetëm për punonjësit paga e të cilëve arrin në 30 mijë lekë në muaj. Këta të fundit tatohen vetëm për 20 mijë lekë. Ndërkohë këtë vit qeveria vendosi të aplikojë referenca edhe për numrin e punonjësve për biznesin e vogël. Përveç kësaj, pak kohë më parë Këshilli i Ministrave miratoi edhe projektvendimin për vendosjen e çmimeve të referencës për sektorin e ndërtimit, në projektet e infrastrukturës. Me anë të këtij projektvendimi, qeveria përcakton jo vetëm çmimet e lëndëve të para, transportit, por numrin dhe pagat e punëtorëve. Gjithashtu përcaktohen edhe taksat që duhet të paguhen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›