Turqi, kapet shqiptari në kërkim për vrasje
Stamboll - Një shqiptar i shumëkërkuar nga Interpol Tirana ra në prangat e policisë turke pas një aksioni të zhvilluar në qytetin e Stambollit. Prej tetë vitesh me radhë ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe vendndodhja e tij nuk dihej ndërsa të dielën 43-vjeçari Engjëll Zeqo është arrestuar. Lajmi është bërë publik në mënyrë masive nga mediat turke ndërsa Zyra e Interpol Tirana konfirmoi se ishte lajmëruar për kapjen e të dënuarit me 15 vjet burg për akuzën e vrasjes. Sipas hetimeve të para të policisë turke, mësohet se Engjëll Zeqo qëndronte i fshehur në Turqi që nga viti 2001 duke përdorur një identitet tjetër. Policia sqaroi se i arrestuari akuzohet për një vrasje të ndodhur tetë vjet më parë ndërsa gjykata shqiptare e ka dënuar atë në mungesë me 15 vjet burg, për shkak se i dyshuari u largua jashtë vendit. Prej disa kohësh agjentët e Interpol Tirana kishin mbledhur informacione në rrugë operative për vendndodhjen e të kërkuarit dhe menjëherë kanë lajmëruar policinë turke. Agjentët e policisë së Stambollit kanë organizuar një operacion në lagjen "Gazi Osman Pasha" në periferi të metropolit turk, ku sipas të dhënave qëndronte shqiptari i kërkuar. Pasi ishin informuar më parë nga pala shqiptare për shenjat e gishtave dhe fotografitë e Engjëll Zeqos, agjentët turq kanë arritur ta zbulojnë dhe arrestojnë shqiptarin. Fillimisht ai ka kundërshtuar duke thënë se nuk ishte personi që kërkohej ndërsa policia sqaroi se ai mbante një pasaportë me emrin e rremë, Durim Myrtaj. Pas identifikimit me anë të fotografisë dhe shenjave të gishtave, polica shoqëroi të dënuarin në burgun e Metrisit në Stamboll.