E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Zgjedhjet janë test për në BE dhe në NATO

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi dje se procesi i integrimit nuk mbaron me anëtarësimin në NATO. I ftuar në forumin "Shqipëria drejt anëtarësimit në NATO", kreu i shtetit theksoi se procesi i integrimit është i gjatë, kompleks dhe që kërkon shumë përkushtim politik. Zgjedhjet e 28 qershorit, vijoi Topi, janë një barometër për ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit. "Ato do të jenë jo vetëm testi i Shqipërisë për të ecur më tej në anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, por edhe guri i provës më i afërt që anëtarësimin tonë në NATO e kthen në përgjegjësi të përmbushur me sukses dhe që përligj besimin që aleatët tanë na kanë dhënë", vijoi Topi. Ai tha se "standardet e kërkuara të zgjedhjeve politike të qershorit nuk përmbushen vetëm duke ndërtuar infrastrukturën e nevojshme zgjedhore, por edhe duke bërë një fushatë transparente, programore, vizionare dhe etike për të ndërgjegjësuar qytetarët se vetëm nëpërmjet votës së lirë, ata mund të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve dhe ndërtimit të së ardhmes së tyre". Në vlerësimin e kreut të shtetit, një nga sfidat e reja të Shqipërisë, si anëtare e re e NATO-s, do të jetë rritja dhe përshtatja e aftësive të saj për të dhënë ndihmesë ushtarake sistematike për sigurinë ndërkombëtare, sipas nevojave që do të paraqiten dhe kërkesave që do të shtrohen për t‘u përmbushur. Përvoja e deritanishme e trupave tona ushtarake në misione paqeruajtëse jashtë Shqipërisë, vijoi Presidenti i Republikës, së bashku me reformimin e vazhdueshëm të Forcave tona të Armatosura, janë dy shtylla mbështetëse në hapat tona të marrëdhënieve me NATO-n. Sipas Topit, detyrat e anëtarësimit dhe realizimi i tyre me sukses janë objektiva kombëtarë dhe si të tillë kërkojnë koordinim, administrim dhe angazhim serioz të të gjitha institucioneve shtetërore e publike. "Ndërgjegjësimin e të gjithë aktorëve socialë, ekonomikë dhe financiarë, se integrimi realizohet vetëm nëpërmjet kontributit të të gjithëve", u shpreh ai. Tashmë, theksoi Presidenti Topi, për një vend anëtar në NATO nuk duhet të diskutohet më forcimi i institucioneve demokratike, të cilat duhet të jenë të mbështetura në sundimin e ligjit për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. "Përfundimi i kornizës ligjore të nevojshme, së bashku me reformat në sistemin e drejtësisë, është kriter i domosdoshëm për t‘u përmbushur nga një vend anëtar i NATO-s, apo një vend që pret të aplikojë për kandidat në Bashkimin Evropian", nënvizoi Topi, duke këmbëngulur se të gjithë duhet ta kuptojnë se një vend anëtar i NATO-s kërkon edhe një ekonomi të qëndrueshme, e cila prodhon dhe sistem politik të qëndrueshëm. Reformat e mëtejshme ekonomike, u shpreh kreu i shtetit, duhet të garantojnë jetëgjatësi në zhvillim dhe mirëqenie në rritje, duke krijuar terrenin e përshtatshëm për të nxitur kapitalet vendase që të investojnë, si dhe të tërheqin më shumë investime të huaja në ekonominë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›