Shkarkohet shefi i Doganave, Përparim Dervishi
Qeveria ka shkarkuar dje nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Përparim Dervishin. Megjithëse ende nuk janë bërë publike arsyet e largimit të Dervishit, burime të besueshme për gazetën thanë mbrëmë se ai është larguar për mungesë performance në punë, rezultate të dobëta, mungesë të theksuar komunikimi dhe kolegjialiteti në ushtrimin e funksionit të tij. Ndërkaq bëhet fjalë edhe për një përdorim të keq të referencave përgjatë tregtisë me vendet e Bashkimit Evropian. Vetëm dje, shoqata biznesmenësh janë ankuar për mënyrën se si funksionojnë këto referenca, duke kërkuar heqjen e tyre. Duket se shkarkimi i Dervishit ka ardhur shumë i papritur, megjithëse për zyrtarë të ndryshëm të doganave, ai pritej. Sikurse u shpreh për gazetën një zyrtar i doganave që nuk dëshironte të identifikohej, ai kishte izoluar personelin drejtues nga vendimmarrja dhe debati, ndërkaq prej kohësh nuk po vileshin rezultatet e pritura në këtë institucion. Ndërkaq gazeta e kontaktuar mbrëmë nga biznese të ndryshme mësoi se edhe pjesë të biznesit kishin kohë që ishin ankimuar për drejtorin Dervishi, lidhur me mënyrat e aplikimit të referencave të çmimeve për mallra të ndryshme e veçmas për ato që sillen prej vendeve të Bashkimit Evropian. Fill pas largimit të Përparim Dervishit nuk kanë munguar që në zyrën e vendimmarrësve qeveritarë të sillen emrat e rinj për postin e drejtorit të Përgjithshëm të Doganave. Njëri prej tyre është ai i nëndrejtorit aktual, Rifat Gjoni, i cili ka një përvojë të gjatë në këtë sektor dhe ndoshta është edhe zyrtari më i vjetër në postet e larta në dogana, që nuk ka pasur rotacion me ndryshimin e qeverisjeve. Një emër tjetër është ai i ish-drejtorit të doganës së Durrësit, Arben Ibro, ndërsa janë përmendur edhe emra të tjerë që drejtojnë sektorë të ndryshëm në dogana, si Gazmir Spahia, apo Endri Pema. Dervishi largohet nga kjo detyrë pas gati 4 vitesh punë, ku si duket, rezultatet kohët e fundit nuk kanë qenë ato të pritshmet prej qeverisë. Përparim Dervishi, i cili ka punuar edhe si pedagog në Fakultetin Ekonomik, është drejtori më jetëgjatë që kanë pasur ndonjëherë doganat shqiptare, një drejtori kjo me shumë ndryshime në kreun e saj. Ai ka ardhur në krye të doganave në fillim të qeverisjes së Partisë Demokratike, e cila në premtimin e saj për qeverisje me duar të pastra parashikonte gjithashtu ulje të korrupsionit në këtë sektor, duke qenë se është një nga sektorët më të ndjeshëm për këtë problem. Fillimisht rezultatet e punës së doganave nën drejtimin e Dervishit kanë qenë mbresëlënëse, ku viheshin në dukje zhdoganimet dhe ulja e ritmit të futjes së mallrave kontrabandë që përbënte dhe një nga pikat kyçe të problemeve me doganat e qeverisjes socialiste. Por perfomanca e tij duket se ka qenë në rënie, pasi pas më pak se 4 vjetësh, ai largohet nga kjo detyrë me këtë arsye.