E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni i lejeve të ndërtimit, zyrtarizohet kërkesa për komision hetimor për Edi Ramën

Xhaferri: Korrupsioni aq i dukshëm saqë tre javë mjaftojnë të nxjerrin Ramën lakuriq para shqiptarëve 
Mungesa e planit urbanistik të kryeqytetit, i premtuar që në vitin 2000, ka revoltuar mazhorancën e djathtë, e cila ka hedhur dyshime në lidhje me dhënien e lejeve të ndërtimit. Në vitin 2003, kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, u hetua nga një komision hetimor parlamentar i kryesuar nga Sokol Olldashi për shpërdorime me detyrën dhe fondet publike. Partia Demokratike po formalizon kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar që do të hetojë dhënien e lejeve të ndërtimit në kryeqytet, nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Komisioni që do të hetojë lejet e ndërtimit të miratuara nga këshilli i rregullimit të territorit në 22 mars 2009, sipas Ferdinand Xhaferit do ta ketë të lehtë të vërtetojë shkeljet e kreut të selisë rozë. Deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferri, gjatë një deklarate shtypi tha se në mbledhjen e datës 12 prill, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës, nga 30 projekte për punë publike dhe jopublike, 19 prej tyre ia ka dhënë studios Ateliera 4, ish-shef i urbanistikës në bashkinë e kryeqytetit dhe aktualisht përfaqësues i Edi Ramës në KKRT. Korrupsioni është aq i dukshëm, aq evident, sa tre javë mjaftojnë për ta nxjerr Edi Ramën lakuriq përpara shqiptarëve dhe politiken e tij të re. Ne kemi akuzuar zotin Fatos Nano se bëri disa prokurime të drejtë për drejta dhe e quanim atë si një nga rastet më klasike të korrupsionit. Ky zotëria ka kaluar çdo masë, nga 30 leje ndërtimi, 19 të tentosh tia japësh ish- shefit të Urbanistikës së bashkisë së Tiranës, dhe përfaqësuesit në KKRT, ka theksuar Xhaferri, ku ndër të tjera ka shtuar se kjo nuk është vetëm shkelje ligji, korrupsion dhe praktikë monopoliste, por është më tepër se kaq, një praktikë e pastër mafioze e dhënies së shërbimeve publike. Ndaj sipas tij, bazuar në Kushtetutë dhe rregulloren e Kuvendit PD do të ngrejë një komision hetimor për ti thënë stop në këtë mënyrë praktikave të pastra mafioze dhe sipas tij përgjegjësit të shkojnë para ligjit. Krijimi i një komisioni hetimor ndaj kryetarit të bashkisë dhe të PS do të ngrinte një sërë akuzash hipotetike që do e vinin në vështirësi përballë elektoratit, duke ulur kredencialet politike të tij. Veç akuzave për drejtimin e partisë, mazhoranca ka gjetur gjithmonë argumente në bashkinë e kryeqytetit për të sulmuar kreun e PS. Ngritja e komisionit hetimor për kreun e Bashkisë së Tiranës, Rama është prezantuar nga deputeti demokrat, Edi Paloka, gjatë seancës së fundit parlamentare. Duke iu referuar mungesës së planit urbanistik të Tiranës, Palok është shprehur se parlamenti duhet të bëjë një hetim për këtë çështje që kreu i Bashkisë të dal para drejtësisë. Sipas Palokës, nisma e prezantuar në seancën plenare synon të hedhë dritë mbi faktin se përse Rama vijon të mbajë peng planin urbanistik të kryeqytetit. Paloka tha se qëndrimi i tij është në sinkron dhe me rezolutën e Parlamentit Europian të nënshkruar në Tiranë, i cili i kërkon numrit një të Bashkisë që të vërë në zbatim planin urbanistik të kryeqytetit.
Bumçi akuzon Ramën për dhënien e lejeve të ndërtimit
Kohët e fundit përfaqësuesit e mazhorancës kanë ngritur akuza të pafundme për dhënien e lejeve të ndërtimit gjatë mbledhjes së fundit të KKRT-së, Tiranë. Përveç faktit që kjo mbledhje është mbajtur ditën e diel, zëdhënësi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, ka akuzuar kryetarin e Bashkisë, Rama për dhëniet e lejeve të fundit me konflikt të hapur interesi. Sipas Bumçit, në mbledhjen e fundit të KRRT-së, ku u miratuan dhjetëra leje ndërtimi, tre nga anëtarët e saj, ishin të përfshirë në konflikt interesi. Bumçi tha se anëtarët në fjalë kishin familjarë apo studiot e tyre që kishin bërë projektet. Tre anëtarët e KKRT-së kishin konflikt interesi. Ky është shembulli më i qartë i korrupsionit dhe klientelizmit, tha Bumçi. Ai kërkoi anulimin e këtyre lejeve. Njëkohësisht, në emrin e Partisë Demokratike, Bumçi kërkoi nga Rama që deri në miratimin e plotë të planit rregullues të qytetit, të mos japë më asnjë leje ndërtimi. Ai kërkoi edhe dorëzimin e këtij plani, që sipas tij, ka gati 4 muaj që është gati, por mbahet në sirtar.

Last Updated on Thursday, 16 April 2009 01:01

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›