E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi kërkon para nga bankat

14/12/2011  Muajt e fundit të 2011-ës, kredia e re u rrit 3.6%. Kërkesë për overdraft dhe kapital qarkullues

Tregtia mbetet sektori më i kredituar i ekonomisë me rreth 41% të portofolit

Biznesi shqiptar kërkon më shumë hua për financim afatshkurtër të aktivitetit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rreth 70 për qind e kredisë së re është marrë për overdraft ose kapital qarkullues dhe pakica e mbetur për investime. Banka Qendrore ka vlerësuar se kërkesa e sektorit publik për financim ka ardhur në ulje gjatë muajve të fundit, duke bërë që kontributin më të madh në rritjen e masës monetare ta japë kërkesa e sektorit privat. Kredia për sektorin privat u rrit me 14.0% në muajin shtator, duke shënuar një përshpejtim të lehtë krahasuar me ritmet e gjashtëmujorit të parë të vitit. Raporti i përdorimit të kredisë tregon për më pak iniciativë të biznesit në kryerjen e investimeve të reja, apo zgjerim të kapaciteteve prodhuese.

Kredia e re

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 10-mujorin kredia e re për bizneset kishte vlerën e 183.5 miliardë lekëve, me një rritje prej 3.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010. Ndonëse me rritje modeste, tendenca e kreditimit të biznesit gjatë vitit paraqitet pozitive. Ekspertët e Bankës Qendrore theksojnë se ecuria relativisht e ngadaltë e kredisë së sektorit privat pasqyron më së shumti kërkesën e dobët të tij. “Banka e Shqipërisë vlerëson se, brenda parametrave të kujdesit, ka hapësira për një rritje më të shpejtë të kredisë dhe për mbështetjen e projekteve të shëndosha të investimit nga sektori bankar. Nga ana jonë, ne do të vazhdojmë të mbështesim sistemin financiar me likuiditet dhe me stimuj monetarë për rritjen e kreditimit”, - është shprehur pak kohë më parë guvernatori Ardian Fullani. Tregtia vazhdon të jetë sektori më i kredituar i ekonomisë dhe zë rreth 41% të totalit. Për 10-mujorin, portofoli i ri i kredisë për bizneset e këtij sektori arriti në 75 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 3.8%. Me ritëm akoma më të mirë është rritur kredia e re për industrinë përpunuese, që për 10-mujorin kishte vlerën e 25 miliardë lekëve, me një rritje vjetore 6.7%. Ndër sektorët më me peshë në kreditim, ndërtimi ngelet i vetmi në vlera negative të rritjes. Gjatë 10-mujorit, kredia e re për sektorin e ndërtimi ra me 11%, në vlerën e 23 miliardë lekëve.

Sektori bankar

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë janë të mendimit se sektori bankar paraqitet likuid dhe i mirëkapitalizuar për të kredituar ekonominë shqiptare, por ai ka rritur kujdesin për kredidhënien, duke reflektuar realitetin e ri të ekonomisë shqiptare dhe të tregjeve financiare botërore. Madje edhe në testin e fundit që ka bërë me bankat e nivelit të dytë në vend ka rezultuar se ato e kanë kaluar ushtrimin e provës. Sinjalet ishin për një skenar të vështirë të improvizuar për vitin 2012. Nëpërmjet testit të rezistencës me vështrim nga e ardhmja, Banka e Shqipërisë vëren se sistemi financiar dhe mjaftueshmëria e kapitalit për sektorin bankar janë stabël për një hark kohor deri në fund të vitit 2012. “Në përfundim, ushtrimi i provës së rezistencës tregon se në tërësi, sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm ndaj goditjeve të forta makroekonomike, të cilat ndikojnë në përkeqësimin e portofolave të kredive të bankave dhe për pasojë në rritjen e shpenzimeve për provigjione, rënien e rezultatit financiar dhe rënien e pozicionit të kapitalizmit të veprimtarisë”, - konkludon Banka e Shqipërisë. Sektori bankar mbi këto baza pritet të mbetet i qëndrueshëm dhe krijon kushte për rritjen e kontributit të tij në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në rënie dërgesat e emigrantëve

Dërgesat e emigrantëve vijojnë rënien e tyre duke ulur kontributin në ekonominë shqiptare. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për 9-mujorin e këtij viti, dërgesat e emigrantëve arritën vlerën e 475 milionë eurove, me një rënie prej 9.3 për qind krahasuar me 9-mujorin e një viti më parë. Ky është viti i pestë resht që ky tregues pëson reduktim të theksuar. Efekti i natyrshëm i pakësimit të remitancave është përshpejtuar nga kriza ekonomike që ka prekur vendet fqinje, ku edhe numri i emigrantëve shqiptarë është më i lartë. Llogaria korrente e vendit, që mat diferencën mes flukseve valutore hyrëse dhe atyre dalëse ishte negative në vlerën e 827 milionë eurove, me një përkeqësim prej 23 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Banka e Shqipërisë ka bërë apel për reforma që do të nxisnin rritjen e investimeve të huaja dhe të eksporteve, që këta tregues të kenë baza të qëndrueshme rritjeje.

Më shumë karta krediti

Numri i kartave të kreditit në duart e shqiptarëve në fund të muajit shtator ishte pak më shumë se 31 mijë, me një rritje vjetore prej afro 18 për qind. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ky produkt klasik dhe ndër më të përdorurit krijon mundësi për kryerjen e pagesave automatike brenda dhe jashtë vendit, si edhe në internet. Me anë të kartës, individi merr akses në një linjë krediti nga banka dhe vlerën që shpenzon ka mundësi ta shlyejë në mënyrë graduale. Ekspertët shpjegojnë se është e rëndësishme të kuptohet se karta e kreditit nuk është domosdoshmërish një luks, por një instrument praktik dhe i dobishëm edhe për njerëzit me të ardhura mesatare. Shumica e bankave shqiptare lëshojnë karta krediti Visa apo Master Card. Kosto e kartës konsiston në një komision vjetor, që për kartat standarde është rreth 20 euro dhe në interesin kreditor, që është në nivele të përafërta me kreditë konsumatore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›