E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimet me çmimet, nis inspektimi i tregjeve

14/12/2011  Kundër spekulimeve bashkia do të bëjë publike çmimet e mallrave të shportës dhe fruta-perimeve.

Sanksione për tregtarët që nuk do të afishojnë çmimet e produkteve

Pas paralajmërimit të dhënë, ekspertët e Bashkisë së Tiranës kanë zbarkuar në tregjet e kryeqytetit për të monitoruar të gjitha abuzimet apo spekulimet që mund të bëhen me çmimet e produkteve të konsumit në prag të festave të fundvitit. Strukturat e bashkisë u kërkuan tregtarëve afishimin e çmimeve, në të kundërt do të ndërmerren sanksione ndaj tyre. "Në rast se konstatojmë se çmimet nuk do të jenë të afishuara, të shpallura, pa dyshim do të ketë edhe sanksione, masa që na i jep ligji për pushtetin lokal”, ka konfirmuar nënkryetari i bashkisë Edmond Panariti gjatë inspektimeve të kryera dje.

Tashmë katër grupe të përbashkëta të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorëve, Drejtorisë së Taksave të Bashkisë dhe Policisë Bashkiake janë instaluar pranë katër tregjeve me shumicë të kryeqytetit: tek ish-uzina “Dinamo”, tregu ushqimor tek Qyteti i Nxënësve, sheshi "Avni Rustemi" dhe tregu i shumicës tek “21 Dhjetori”. Ndërsa grupe të tjera të përbashkëta monitorojnë tregjet me pakicë dhe supermarketet e kryeqytetit. Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që të mos bien pre e abuzimeve, gjatë kësaj jave bashkia do të bëjë publike çmimet me shumicë dhe pakicë të mallrave të shportës dhe fruta- perimeve që janë konfirmuar në tregje. Njëkohësisht është menduar që në mënyrë periodike do të publikohen dhe çmimet mesatare në çdo minibashki, me synim që konsumatori të jetë i informuar për luhatjen e çmimeve në zonat e ndryshme të Tiranës. Për të ndihmuar edhe tregtarët bashkia ndërhyn edhe pranë doganave, të cilat do të lehtësojnë procedurat e importit. Për këtë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për të eliminuar fenomenin e abuzimit me çmimet e ushqimeve, ka vendosur lehtësimin e procedurave për importin e këtyre produkteve, me qëllim furnizimin e bollshëm të tregut dhe rrjedhimisht ekuilibrimin e çmimeve të tregut. Përmes një urdhri kjo drejtori autorizon të gjitha degët doganore, drejtoritë rajonale përgjegjëse, të reduktojnë në maksimum kohëqëndrimin e mallrave ushqimore në dogana, teksa do t’u jepet përparësi absolute zhdoganimit të fruta-perimeve dhe mallrave të tjera ushqimore.

Panariti

“Ne sot bëmë një fotografim të situatës, u njohëm me çmimet e artikujve të shumicës, por edhe të atyre të pakicës. Insistuam që këto çmime të jenë transparente, të jenë të shpallura. Për fat të keq, konstatuam që në një pjesë të madhe të tregut, çmimet nuk janë të afishuara. Në mënyrë miqësore ne kërkuam nga tregtarët që shumë shpejt, duke filluar që nga sot e në ditët në vijim, të bëjnë transparencë të çmimit, duke shpallur çmimet në vendet ku ata tregtojnë këto produkte.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›