E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata hidrike, qeveria autorizon KESH-in të marrë kredi

Qeveria shqiptare ka autorizuar sot Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare për të marrë një kredi në shumën 4.5 miliardë lekë, për të përballuar situatën energjetike në vend, për shkak të mungesës së reshjeve.
 

Ky vendim është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë pas një situate jo të favorshme hidrike të shkaktuar nga mungesa e nivelit të domosdoshëm të reshjeve.
 

Sipas Këshillit të Ministrave ky vendim është në përputhje të plotë me qëndrimin e qeverisë, e cila e ka prioritet absolut të saj sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm me energji.
 

Gjithashtu, në mbledhjen e tij sot, Këshilli i Ministrave miratoi disa shtesa e ndryshime në vendimin e datës 3.2.2010, “Për deklarimin e detyrueshëm të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike.”

Ky vendim mundëson realizimin e deklarimit të detyrueshëm në organet tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike, edhe i të dhënave të dokumentit listëpagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, si dhe i të dhënave për ndryshimin e numrit të punonjësve, nga ana e të gjithë tatimpaguesve.

Realizimi i deklarimit elektronik e tyre është një masë e rëndësishme që do të ndikojë në rritjen e efektivitetit të administratës për minimizimin e evazionit në tregun e punës, saktësisë dhe lehtësimit të shkëmbimit midis institucioneve të të dhënave për kontributet e paguara nga subjektet dhe për punonjësit e tyre, me qëllim evidentimin e saktë dhe krijimin e historikut të kontributeve për çdo kontributpagues mbi bazën e të cilit ata do të marrin përfitimet përkatëse nga skema e sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›