Nafta që çante bllokadën
Për herë të parë në historinë e shtetit Shqiptar, privatizohet 100% e aseteve që kanë të bëjnë me zonën më të pasur me naftë në Shqipëri. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë, pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, miratoi sot pasdite vetëm me votat e shumicës parlamentare privatizimin e kompanisë Albpetrol. Sipas argumenteve të opozitës në pakicë kompania nuk duhej të privatizohej; një zgjidhje më e përshtatshme është dhënia me koncesion e kompanisë deri më sot shtetërore.
Debati për draftin e paraqitur nga zv. ministri i Energjetikës, Eno Bozdo, zgjati 2 orë. Zv/ministri prezantoi draftin ku parashikohet privatizimi 100% i aseteve të kompanisë dhe që ky proces, sipas tij, do të kryhet nëpërmjet një tenderi ndërkombëtar. Drafti parashikon që të ardhurat nga privatizimi të shkojnë sipas nevojave që do të ketë buxheti i shtetit apo në projekte investimi.
Tjetër shqetësim i socialistëve përveç mundësisë së dhënies me koncesion ishte dhe fakti se, sipas tyre, pritet që nga privatizimi të ketë shkurtime në masë nga puna e punonjësve të Albpetrolit. Nafta që në vitet 70-80 çante bllokadën, tani duket se do të pasurojë tregtarë pranë qeverisë.
*respublica.al