E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shpëton nga policia kreu i linjës së trafikut

14/04/2005  Antitrafiqet parandalojnë nisjen e 42 klandestinëve në Greqi, prangosen tre trafikantë

TIRANË- I shpëton prangave të Policisë së Tiranës, kapoja i linjës së trafikut Shqipëri-Greqi. Gjatë një aksioni të rrufeshëm, Policia e Tiranës pas mëse një viti hetimesh ka ndaluar dje në kryeqytet 42 klandestinë, të cilët kishin si destinacion tokën helene. Burime nga Antitrafiku thanë për gazetën "Metropol" se, edhe pas prangosjes së tre pjesëtarëve të rrjetit, njëri prej tyre, i cili klasifikohej me "rreth të kuq" prej më tepër se një viti, ende nuk është arrestuar. Kjo për shkak të vështirësisë që paraqiste operacioni. Gjithashtu mësohet se klandestinët e ardhur nga Tropoja, Shkodra, Burreli, Kukësi, Dibra dhe Bulqiza, mblidheshin fillimisht në Kamëz, vend në të cilin paguanin 5 mijë euro për njeri dhe më pas transportoheshin në furgonë për t'u larguar më pas drejt Greqisë. Në prangat e uniforamve blu kanë rënë Kalosh Lamollari si dhe tre bashkëpunëtorë të tij, njëri prej të cilëve quhet Fitim Palushi.

Transporti

Frutet e aksionit të shpejtë ishin sekuestrimi i një mjeti me të cilin do të bëhej transportimi i 42 klandestinëve. Furgoni kishte targa KR 071 A, ndërsa, sipas policisë ky mjet do të shërbente për një transport të shkurtër, pasi në një tjetër qytet, në afërsi të Korçës, ai do të kthehej mbrapsht dhe klandestinët do të transportoheshin më pas me një tjetër furgon. Linja e trafikut ishte tepër e sigurtë, pasi lidhjet mes punonjësve të doganave respektive, sipas burimeve të Antitrafiqeve, janë të siguruara prej kohësh. Ndërkaq, burimet policore nuk preferojnë të publikojnë emrin e "udhëheqësit" të trafikut, i cili banon aktualisht në Tiranë, ndërsa është shpallur në kërkim.

Precedentët

Tashmë policia regjistron disa raste të ndalimit të nisjes së klandestinëve. Më i spikaturi përmendet ai i Golemit, në Kavajë, kur 27 njerëz ishin përgatitur të hipnin në skaf, pasi kishin paguar nga 2000 euro. Nga aksioni i policisë u arrestuan tre nga organizatorët. Ndërsa, Policia e Shkodrës ka zbuluar një tjetër rrjet të trafikut të klandestinëve në linjën Shkodër-Bosnjë-Kroaci-Slloveni-Itali. Burime nga blutë bëjnë të ditur se, pesë trafikantë nga rrethet e Lezhës e të Burrelit në vijimësi kanë organizuar trafikun e klandestinëve nga këto zona për në Itali. Ata siguronin edhe automjetet për transportin e personave që donin të iknin jashtë shtetit. Secili klandestin paguante nga 2500 euro për të mbërritur në destinacion.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›