“Biznesi kinez, klimë mikpritëse për investime në Shqipëri”
Presidenti i Republikës Bujar Nishani takon delegacionin e Konferencës Konsultative Politike të Kinës
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u takua dje me një delegacion të Konferencës Konsultative Politike të Republikës Popullore të Kinës, i kryesuar nga zëvendëskryetarja e Komitetit Kombëtar, Zhang Rongming, në kuadër të një vizite zyrtare në Shqipëri për 100-vjetorin e Pavarësisë. Duke vlerësuar si shumë pozitive marrëdhëniet tradicionale mes dy vendeve, Kreu i Shtetit shprehu interesimin për forcimin e bashkëpunimit ekonomik e kulturor me Kinën, ndërsa siguroi se biznesi kinez do të gjejë në Shqipëri një klimë mikpritëse për investime në energji, infrastrukturë, turizëm, etj. Nga ana e saj, zëvendëskryetarja Rongming shprehu bindjen se kjo vizitë do t’i shërbejë jo vetëm nxitjes së dialogut politik, por dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me interes të ndërsjellë në të gjitha fushat. Ajo nënvizoi se iniciativa dhe mekanizmi i bashkëpunimit mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore ka funksionuar mirë, duke kërkuar që në këtë kuadër Shqipëria dhe Kina të rrisin më tej bashkëpunimin e tyre në fushën ekonomike. Presidenti Nishani vlerësoi angazhimin e Kinës në rajon, gjithashtu edhe çeljen e zyrës diplomatike të Kinës në Kosovë, të cilën e konsideroi si shprehje të interesit dhe vëmendjes së Kinës ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.
...