E Shtunë, 31 Tetor 2026

“SME-të - Shqipëria mbi mesataren e të gjithë rajonit”

31-10-2012 / Gazeta 55

Raporti më i fundit i OECD, BERZH dhe BE mbi indeksin e politikave të zhvillimit


Shqipëria renditet mbi mesataren e vendeve të rajonit lidhur me politikat e zhvillimit të biznesit të vogël dhe të mesëm. Tre institucionet më të larta ndërkombëtare si OECD, BERZH dhe BE në raportin më të fundit me titull “Ballkani Perëndimor dhe Turqia 2012; progresi në implementimin e akteve europiane për biznesin e vogël”, për të dalë në indeksin total mat dhjetë aspekte, të cilat i kategorizon si dimensione. Vendi ynë renditet i pari në Ballkan për klimën e favorshme të biznesit. Shqipëria thuhet në këtë raport ka përmirësuar ndjeshme mjedisin ku operojnë SME-të. Në veçanti duke lehtësuar procedurat e regjistrimin të kompanive nëpërmjet nismave të tilla si një “one-stop shop” për regjistrimin e biznesit, numrat e identifikimit të tyre dhe regjistrimi on-line. Progres është bërë në aftësitë sipërmarrëse dhe arsim, ku sipërmarrja është futur kohët e fundit si subjekt në kurrikulat e të gjitha shkollave e mesme si dhe në aftësitë kërkuese të sipërmarrjes të ndjekura nga Agjencia Shqiptare e Investimeve për zhvillim, AIDA cilëson raporti. Mjedisi i përshtatshëm ku operojnë bizneset e vogla dhe ato të mesme në vendin tonë janë edhe arritja më e madhe për qeverinë shqiptare, pasi nga 5 që është indeksi maksimal, Shqipëria në këtë tregues shënon 4.3, shumë më mirë sesa gjithë rajoni. Po kështu, edhe në tregues të tjerë që lidhen me kuadrin rregullator apo më prokurimet elektronike, vendi ynë ka një indeks të kënaqshëm. Qeveria shqiptare thuhet më tej në raport vijon mbështetjen e SME-ve si dhe mbrojtjen e shërbimeve tregtare. Gjithashtu qeveria sheh si prioritare përshtatjen me ligjet dhe standardet europiane me qëllim futjen e vendit sa më shpejt në organizmat europianë. Shqipëria ka përshtatur tashmë më shumë se 90 për qind të ligjeve europiane. Zbatimi i strategjisë së inovacionit të aprovuar në vitin 2009 që përbën një shërbim specifik të trajnimit për bizneset, ka çuar në rritjen më të lartë dhe potencial të eksporteve. Në raportin e BERZH, KE dhe OECD për vendet e Ballkanit, shenja progresi tregojnë Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Gjithashtu Shqipëria dhe Maqedonia vlerësohen edhe për prokurimin elektronik ku tenderat mund të kryhen tërësisht në mënyrë elektronike. Kriza financiare pas 2009-s e bëri të vështirë aksin në kreditimin e jashtëm. Sistemet e informimit të kreditimit janë përmirësuar, por forcimi dhe sigurimi i të drejtave të kreditorëve mbetet një sfidë në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë. Mbështetja për të filluar një biznes përfshin një seri mekanizmash si kredi, apo grante, subvencione me terma të favorshëm, por në shumicën e ekonomive skema të tilla janë në një shkallë të ulët për të dhënë një impakt thekson raporti. BE nis në dhjetor financimin për SME-të në rajon, Shqipëria përfituese e fondit prej 140 milionë euro Përcaktimi i reformave prioritare të politikave për zhvillimin e ndërmarrjeve dhe instrumenti i Inovacionit në Shqipëri janë bërë pjesë e një programi të financuar nga BE me fondin 140 milionë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor, që pritet të hapet në dhjetor. Programi “Zhvillimi i ndërmarrjeve dhe Instrumentit të Inovacionit në vendet e Ballkanit Perëndimor (EDIF)”, u prezantua dje nga ministria e Ekonomisë dhe Delegacioni i KE-së në Tiranë. Ky program është nismë e përbashkët e KE-së, BEI-t, Fondit Europian të Investimeve dhe BERZH, në kuadër të kornizës së investimeve në vendet e Ballkanit Perëndimor. OECD do të afrojë në kuadër të programit mbështetje për politikat e nismës. Programi EDIF do të mobilizojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor 140 milionë euro të orientuar në disa drejtime si aksesi për financim për SME, fondi i investimeve për ndërmarrjet inovative me rritje të lartë, fondi i garantimit të kredive të tyre. Programi EDIF ka vlerë totale financimi prej 140 milionë euro, prej të cilave, 40 milionë do të jenë për fondin e inovacionit, 20 milionë euro për garancinë bankare, etj. Në qershor, OECD prezantoi barrierat me të cilat përballet biznesi në Shqipëri, në kuadër të përgatitjes së programit EDIF, prej ku përcaktoi fushat kryesore që kërkojnë reformim të politikave me synim përmirësimin dhe lehtësimin e punës për SME-të. Sipas raportit, në Shqipëri barrierat lidhen me korrupsionin, politikat kompetitive, infrastrukturën, tregun e punës, aksesin në financime, si dhe tregun rregullator. Për këto çështje në ministrinë e Ekonomisë kanë nisur ndërhyrjet për përmirësimin e treguesve që varen prej saj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›