E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mbi 10 mijë ish-të përndjekur kanë përfituar këstin e parë”

31-10-2012 / Gazeta 55

Ministri i Financave Ridvan Bode raporton në Komisionin parlamentar të Ekonomisë

Ministri i Financave, Ridvan Bode u thirr dje në Komisionin parlamentar të Ekonomisë për të sqaruar mbi fondet e dhëna nga buxheti i shtetit në vite për kategorinë e personave me aftësi të kufizuar, për ish të përndjekurit, për ish ushtarakët, etj.
Ministri i Financave Ridvan Bode tha se 11 për qind e PBB-së është fatura sociale që paguan buxheti, më e larta në rajon, kur Italia e ka 47 për qind të GDP-së.
Debati u ndez më shumë kur u diskutua dëmshpërblimi për ish të dënuarit politikë. 
“Deri tani janë përgatitur 23 vendime të Këshillit të Ministrave, të cilat i përkasin kategorive: Të pushkatuar pa gjyq janë 305 persona të shpërblyer, të dënuar me dënim kapital janë 1039 që kanë përfituar dhe të dënuar me burgim janë 10385 persona që kanë përfituar pagesat respektive”, bëri me dije ministri Bode.
Sipas sqarimeve të ministrit Bode, ish të përndjekurit kanë marrë deri tani 6.5 miliardë lekë, ku përfshihen edhe një pjesë e këstit të dytë së bashku me përfitimet e tjera siç janë letrat me vlerë. Sipas Bodes, bëhet fjalë për 11 mijë e 729 dosje nga 20 mijë të tilla të atyre që përfitojnë dhe që janë në proces shqyrtimi në ministrinë e Drejtësisë. Fondi që përllogaritet për dëmshpërblimin e këtyre dosjeve është 46.6 miliardë lekë. Ministri i Financave shtoi se është duke u diskutuar edhe mundësia për të shtuar kategorinë e atyre që i kanë dorëzuar dokumentet jashtë afatit.
Deklaratave të deputetit të PS-së Erion Braçe, i cili akuzoi qeverinë se, mospagesa e dëmshpërblimit të kësaj shtrese çoi në vetëdjegien e tyre, ndërsa edhe i kërkoi ministrit një afat kohor se, kur do të përfundonte procesi i dëmshpërblimit, Ridvan Bode i kërkoi atij dhe gjithë deputetëve socialistë që të mos e politizojnë këtë proces, por të bëjnë premtime konkrete për dëmshpërblimin e kësaj kategorie, në qoftë se ata do të vijnë në pushtet. “Pamundësi të parashikimit në një vit buxhetor të shifrës prej 46.6 miliardë lekësh, qeveria ka parashikuar ndarjen në këste të kësaj shume. Kemi parashikuar dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve në 8 këste me 5.8 miliardë lekë secilin. Buxheti ynë kaq na lejon. Nëse ju doni të politizoni çështjen premtojuni ish-të përndjekurve se do ti paguani brenda mandatit të parë qeverisës ose edhe në vitin e parë të mandatit”, u shpreh ministri i financave Ridvan Bode, në përgjigje të akuzave të deputetit socialist Erion Braçe.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›