Opozita mocion për kryeministrin, Fazlliç: Berishën e kam mik
Berisha: Pres mocionin, por do hap arkivat e krimit
BLEDAR HOTI
Kryeministri Sali Berisha shprehet i hapur për një debat me opozitën për çështjen “Fazlliç”. Në seancën e pasdites së djeshme, Kryeministri Berisha ka pranuar kërkesën e opozitës për një mocion me debat. Socialistët kanë depozituar në zyrën e kryetares së Kuvendit, Topalli, kërkesën zyrtare për mocionin me debatin për kreun e Ekzekutivit. “Erdha për të falënderuar në mënyrën më të përzemërt kryetaren e grupit të PS, grupin e PS, për vendimin burrnor që kanë marrë për të paraqitur mocion me debat ndaj Sali Berishës. T’u falënderoj dhe t’u dëshmoj gatishmërinë time të plotë, të paraqitem para këtij Parlamenti, madje në rast se dëshirojnë ua sjell këtu edhe zotin Damir Fazlliç. Në rast se s’keni frikë ndaj tij, pranojeni të vijë këtu dhe ta dëgjoni, po nuk e doni ju nuk e sjell unë. Në qoftë se s’keni frikë prej tij, pranojeni t’u dëgjojë se ka harxhuar shumë kohë me ju”, deklaroi Berisha. Kryeministri ka bërë të ditur se, “nëse realizohet mocioni me debat, opozita duhet jetë pro hapjes së arkivave të krimit”. “Të betohem zonja kryetare, që e pres me kënaqësinë më të madhe atë mocion, vetëm të përgatitemi për transparencën më të madhe në historinë e këtij vendi, të arkivës së krimit. Unë vetëm kaq dua. Mos fol se jam detyruar të mbaj një heshtje që mezi e kam mbajtur, nuk e mbaj më”, deklaroi Berisha. Fjala e tij shkaktoi më pas reagime nga ana e opozitës. Replika Berisha shkëmbeu dhe me kreun e “PS ‘91", Petro Koçi. “Ulu aty ti Don Petro, mos më fol nga vendi. Na shkon dhe te grupacioni lesh e leshi dhe na bën presion ti tashti, nuk i bën dot presion kryeministrit as me grupimin lesh e leshi dhe as me partinë e ‘89-ës”, theksoi Berisha. Më pas kryeministri i është drejtuar se është i gatshëm dhe për një mocion mosbesimi, nëse opozita kërkon ta paraqesë. “E nderuar zonjë, falënderoj edhe kryetarin tënd për inkurajimin që të bëri për të paraqitur kërkesën tënde. Jam jo për një mocion, por për mocione maratone të mosbesimit të kryeministrit, juve s’jua mban atëherë”, theksoi Berisha. Kreu i maxhorancës ka tentuar të mbyllë debatin me këtë deklaratë, duke u larguar nga seanca, për të mos u konfliktuar më pas me qëndrimet e opozitës. Më pas seanca ka vijuar me diskutimet jashtë rendit të ditës, ku diskutimet e deputetëve janë fokusuar pikërisht në çështjen e arrestimit të Damir Fazlliçit. Debatet për këtë çështje kanë zgjatur mbi një orë e gjysmë, ku palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për boshnjakun Fazlliç. Fillimisht seanca ka nisur me një debat se cili prej deputetëve të opozitës duhet të fliste, ku socialistët kërkonin verifikimin e listës së emrave të paraqitur. Në listën e shpallur nga Topalli nuk figuronte emri i socialistes Arta Dade. Debati për këtë çështje bëri që seanca të shtyhet për 5 minuta, derisa të vendosej përfundimisht lista e deputetëve socialistë.
PS, mocion për Berishën.Leskaj: Kryeministri kërcënoi
Partia Socialiste protestoi ashpër ndaj deklaratës së Kryeministrit Sali Berisha në Parlament. Kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj theksoi se, “kjo që ndodhi është një ngjarje e turpshme, ku kryeministri i vendit, i cili akuzohet rëndë për afera të pista korruptive, vjen këtu dhe fyen Kuvendin, kërcënon deputetët. Ai na kërcënon me Fazlliçin se e sjell këtu, është mirë ta sjellë, por jo në Parlament. Këtu është një vend i shenjtë, s’kanë punë Fazlliçët. Kryeministri Berisha të mos trembet nga e vërteta, le të vijë në debat”, theksoi Leskaj. Ndërsa për përplasjet me dosjet, kryetarja e grupit të PS-së u shpreh se është e gatshme që ato të hapen. “Berisha na kërcënoi me dosje, por ka tre vjet që s’ka sjellë asnjë dosje. Ti sjellë këtu dosjet, por kur të vijë në mocion për debat do të dëgjojë dhe dosjet tona”, deklaroi Leskaj.
Basha: Unë dhe familjarët, jo biznese me Fazlliç
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, flet për herë të parë pas akuzave për lidhjet e tij dhe të kunatit të tij me biznesmenin boshnjak, Damir Fazlliç. Gjatë një prononcimi për mediat dje në mbrëmje, por edhe përmes një fjale të mbajtur në Kuvend, kreu i diplomacisë shqiptare hodhi poshtë çdo formë bashkëpunimi mes tij, familjarëve dhe Fazlliçit. “Edhe një herë unë i qëndroj asaj që kam thënë në Parlament, transmetoni pikë për pikë. Është e qartë dhe i qëndroj me përgjegjësi të plotë, mendoj se shtypi i lirë, media e pavarur, ka për detyrë që ta hetojë dhe ta zhbirilojë të vërtetën deri në fund. Nga zhbirilim i së vërtetës deri në fund duket qartë se kemi të bëjmë me një fushatë shpifjesh, asnjë nga familjarët, e mi. Zoti Isufi e as unë nuk kemi pasur asnjëherë lidhje biznesi, biznese të përbashkët, ortakëri apo nuk kemi zhvilluar asnjëherë aktivitet ekonomik me zotin Fazlliç”, theksoi Basha dje pas përfundimit të punimeve të Kuvendit. Ndërkohë në fjalën e mbajtur para deputetëve gjatë pjesës së parë të seancës, ku trajtohen çështjet që nuk janë në rendin e ditës, Basha akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama, si orkestruesin e shpifjes së radhës për sa i përket biznesmenit Fazlliç. “Prej dy ditësh fytyra e së keqes dhe ndërgjegjja e së ligës kanë dalë para opinionit, duke bërë atë që dinë të bëjnë më mirë. Duke tjerrur me zell pëlhurën e intrigës dhe gënjeshtrës. Duke gatuar me ngazëllim çorbën e helmatisur të trillimit, që prej kaq vitesh e dekadash është specialiteti i tyre. Fytyra e vrerosur e të keqes u shfaq përsëri sot para shqiptareve. Duke mbllaçitur gënjeshtrën që vetë prodhoi dhe shpërndau me një infrastrukturë që do t’ia kishte zili edhe vetë Sigurimi i Shtetit, bashkarkitekti i së djeshmes u rrek përsëri të na flasë në emër të së ardhmes”, deklaroi Basha. Sipas kreut të diplomacisë shqiptare, Rama nuk ka thënë asnjë fjalë të mirë edhe pse vendi, sipas tij, po i afrohet çdo ditë e më shumë anëtarësimit me të drejta të plota në NATO. “Ai që i dridhet buza dhe i mpaket vështrimi kur vendi renditet në listat e transparencës dhe progresit, ai që nxin me çdo hap që Shqipëria hedh larg të shkuarës dhe drejt të ardhmes, vrapoi sot të shqiptojë mashtrimin dhe marrëzinë e radhës së imagjinatës së tij perverse”, theksoi Basha. “Ai që brriti si një i marrë, duke u tallur me vdekjen e një njeriu për qëllimet e tij, ai që nëpërkëmb çdo kod njerëzor për interesin e vet politik, ai që nuk ndahet dot asnjë natë nga nata e pafund e së kaluarës së tij u vërsul sot përsëri me tërbim mbi të tashmen dhe të ardhmen e një Shqipërie që po ndryshon çdo ditë”, vijoi më tej deputeti demokrat. Në fund ai u ndal edhe tek akuzat e shumta të opozitës lidhur me fondet e rrugës Durrës-Kukës. “Unë nuk i iki, por e kërkoj ballafaqimin. Nuk jam unë ai që paguan për të mbyllur dosjet e panumërta që e ndjekin si fantazmat. Ajo është rruga me të cilin krenohet çdo shqiptar, është rruga që më zbardh mua dhe të nxin ty o korbi i rrugës, sot dhe përgjithmonë sa të jetë jeta”, deklaroi ministri i Jashtëm. a.sh
“Fazlliç i lirë të bëjë biznes në Shqipëri”
Partia Demokratike reagoi dje lidhur me akuzat e kreut të PS-së, Edi Rama, për lidhjet e biznesmenit boshnjak, Damir Fazlliç me qeverinë shqiptare. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi i selisë blu, Gerti Bogdani tha se, “Partia Demokratike sqaron se Damir Fazliç dhe çdo biznesmen tjetër, vendas apo i huaj, ka qenë dhe është i lirë që në përputhje me rregullat e vendit të ushtrojë biznesin e tij. Por Fazlliç në asnjë rast nuk ka kërkuar dhe nuk ka pasur asnjë lloj përfitimi nga fondet apo asetet publike të vendit. PD informon shqiptarët se Fazlliç ka denoncuar në mënyrë të përsëritur si përpjekjet e Edi Ramës dhe ofertat e tij për të bashkëpunuar me të, ashtu edhe implikimin e ndonjë bashkëpunëtori të heshtur të Ramës në afera të dyshimta dhe trafiqe rajonale”. Sipas tij, “alarmimi i Edi Ramës dhe histeria e akuzave të tij, si pas aksidentit tragjik të Trebickës, si tani ndaj Damir Fazlliç, janë thjesht përpjekje e dështuar për të vendosur në harresë lidhjet e tij të tmerrshme me eksponentët e grupeve më të rrezikshme të vendit me të cilët ndante trofetë, intimitetet dhe shumë e shumë akte të tjera nga të cilat ai nuk mund të shpëtojë ndonjëherë”.
Rama: Berisha i lidhur me Fazlliç
Aristir Lumezi
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i kërkoi dje Prokurorisë së Përgjithshme të zbardhë të gjithë aferat e dyshimta mes kryeministrit Berisha dhe serbo-boshnjakut, Damir Fazlliç. Në një konferencë për shtyp, kreu i selisë rozë i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme të bllokojë llogaritë bankare që biznesmeni Fazlliç, në ortakëri me kunatin e ministrit Lulzim Basha, ka në bankat shqiptare, si dhe të marrë në pyetje këtë të fundit. Gjatë prononcimit të tij, kryetari socialiste Edi Rama tha se, lidhjet e biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazllic, me Shqipërinë, janë prova të kapjes së shtetit dhe hallka që tregojnë korrupsionin në qeveri që e kanë pikënisjen që më 3 korrik 2005. “Damir Fazlliç së bashku me njerëz të besuar të Berishës kreu disa operacione të paligjshme ekonomike, duke provuar kështu një hallkë tjetër të korrupsionit në qeveri. As grabitja e fondeve Durrës-Kukës dhe as tragjedia e Gërdecit nuk janë të shkëputura nga një skenar i kapjes së shtetit dhe i ngritjes së një sistemi klanor, që ka si tutor kryeministrin Sali Berisha”, u shpreh Rama. duke komentuar situatën politike pas denoncimeve të aktivitetit të dyshimtë të biznesmenit serbo-boshnjak, kryetari socialist i kërkoi publikisht Prokurorisë që të marrë në pyetje ministrin e Jashtëm, pa imunitet, Lulzim Basha, si dhe të bllokojë llogaritë bankare të firmave që kanë për ortak Damir Fazlliç. “Kur do të thirret përpara organit të akuzës Lulzim Basha? Kur do të ndërhyjë Prokuroria për të marrë si provë dokumentet dhe të zbardhë aktivitetet e kompanive, që kanë gjeneruar shuma të mëdha parash, me destinacion Qipron dhe që çojnë gjurmët te trafiku i armëve?”, vijoi Rama. Sipas Edi Ramës, “Gërdeci, klani i Berishës dhe personazhi i errët i Ballkanit, Damir Fazlliç kanë një lidhje që të çon në zbardhjen e skemës së korrupsionit me municionet luftarake por jo vetëm”, shtoi Rama. Kreu socialist shprehu sërish mbështetjen e kësaj partie për punën e Prokurorisë, por u shpreh se çdo vonesë në këtë hetim do të komplikonte zbardhjen e tij. “Unë rishpreh sot mbështetjen tonë të plotë për Prokurorinë e Republikës dhe besimin se, Prokurorja e Përgjithshme është plotësisht e vetë-dijshme për peshën e jashtëzakonshme të përgjegjësisë së saj në përballjen me sfidën e zbardhjes të së vërtetës lidhur me këto ndodhi e dyshime, që të çojnë në majën e piramidës qeveritare. Por, njëkohësisht unë shpreh sot shqetësimin e madh për rrezikun që do të sillte çdo vonesë apo ngurrim në hetimin e këtij lëmshi interesash kriminale”, tha Rama.
“Fazlliç pjesë e skandaleve të Berishës”
“Skandali Fazlliç është vetëm guri i fundit që vendoset mbi ngrehinën korruptive të qeverisjes aktuale, e cila vazhdon të besojë se me anë spotesh televizive naive, do të mbulojë Gërdecin, Diverolin, Fazlliçin dhe të gjithë atë mal historish dhe skandalesh korruptive që janë shfaqur me shumicë tre vitet e fundit. Eshtë e qartë se Fazlliç ka pasur interes që PD-ja, Sali Berisha apo Lulzim Basha të vinë dhe të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet në Shqipëri, (me sa duket edhe Kryeministri ynë këtu i ka varur shpresat që thotë se do të rri 8 vjet në pushtet), pasi vetëm në këtë mënyrë rrjeti financiar okult i ngritur prej tij, do të sillte fitime të majme, pa rrezikuar asgjë”, deklaroi Dade.
Meta: Berisha, një nga trafikantët më të mëdhenj në rajon, të largohet
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh se lidhja e kryeministrit Berisha me biznesmenin serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, është një komprometim i tij në afera të dyshimta korruptive. Meta e cilësoi kryeministrin shqiptar si njeriun më të korruptuar të rajonit. “Padyshim që sensibilizimi i madh i mediave këtu lidhur me lidhjet e një personi të ndaluar në Bosnjë, por të parë në shumë ekrane televizive në krah të kryeministrit Berisha, madje edhe të denoncuar nga një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Berishës, zotit Baze, edhe publikisht, tregon qartë se Berisha është tashmë një ndër trafikantët më të mëdhenj të këtij rajoni lidhur me trafiqe nga më të ndryshmet. Dhe, njëkohësisht, lidhje të tilla nuk kanë asnjë shkak që ka të bëjë me integrimin evropian apo me ftesën për anëtarësimin në NATO. Pra, janë thjesht lidhje aferash, biznesesh, dhe me sa duket edhe pastrim parash”, vijoi Meta. Këtë deklaratë kryetari i LSI-së e bëri gjatë një komunikimi me mediat në lidhje me situatën e rëndë ekonomike dhe turin e inaugurimeve të kryeministrit Berisha. Sipas Metës, faktet korruptive që përfshijnë kryeministrin shqiptar duhet të ndëshkohen me largimin fillimisht të Berishës nga ky post për t’i hapur rrugë drejtësisë të punojë e qetë dhe pa presione politike. “Kjo, në radhë të parë, nënkupton çdo përpjekje demokratike, institucionale për largi-min e Berishës nga posti i Kryeministrit”, u shpreh kreu i LSI-së.
Fazlliç: Krenar që Berishën e kam mik
Muhamed Veliu
Damir Fazlliç, biznesmeni i shumëpërfolur boshnjak, thyen heshtjen. Në të parën intervistë në dhjetë vitet e fundit, mohon gjithçka që është shkruar për të deri më tani.
E cilëson median në Ballkan si të tërbuar, madje shumë të tërbuar kohët e fundit, saqë çdo gazetar që i kërkon intervistë e refuzon menjëherë.
Pas një pritje për më shumë se gjashtë orë përpara shtëpisë ku banon në veri të Londrës në një lagje të pasurish, shfaqet Fazlliç me një telefon në dorë duke folur në serbisht. Më i dobët në paraqitje se ç'duket në fotot që qarkullojnë në media, i veshur thjesht si për një ditë me shi, Fazlliç duket i qetë.
Fillimisht refuzon të flasë, duke drejtuar gishtin nga një botues i një të përditshmeje në Tiranë si strumbullari i të gjithë kësaj "bad press" publiciteti të keq në adresë të tij.
Pasi biem dakord që intervista do të jetë vetëm për atë pjesë që ka të bëjë me arrestimin në Bosnjë, biznesmeni më i përfolur për momentin në Ballkan pranon të flasë.
Improvizojmë një intervistë të shpejtë në hollin e apartamentit luksoz ku banonte.
Përmes kësaj interviste ekskluzive për "Top-Channel", ai rrëfen nga Londra për ndalimin e bujshëm të së premtes, bizneset në Shqipëri, madje nuk kursehet të komentojë lidhjet e tij miqësore me Kryeministrin Sali Berisha.
Përpara intervistës, Fazlliç që flet me një aksent amerikan, fillimisht pranon të intervistohet vetëm me një kusht, që të flasë për atë pjesë të zhurmshme që ka të bëjë me ndalimin në Bosnjë.
Por më pas me një qetësi absolute nuk refuzon t'i përgjigjet një mori pyetjesh të tjera, duke hedhur një dritë të zbehtë rreth aktiviteteve në Tiranë. Megjithatë, Fazlliç mbetet njeriu që mbart shumë mistere më të mëdha se 33 vite të moshës që mban mbi supe.
Që në fillim kur e pyesim nëse ai është arrestuar të premten e shkuar në Bosnjë dhe më pas është lënë i lirë, Fazlliç jep një përgjigje të prerë:
"Jo, jo, kurrë nuk jam arrestuar gjatë jetës time në asnjë vend. Ne jemi në Londër dhe unë nuk jam në qeli në Bosnjë. Di që shumë gazeta shqiptare e kanë raportuar një lajm të tillë. Pse e kanë bërë? Këtë nuk e di përse".
Në fakt ai e ka të qartë se nga buron ky agresivitet i medias në të tilla rate, si në vendin e origjinës apo edhe së fundmi në Shqipëri. Megjithatë ngulmoj në faktin se ai në mos arrestuar të jetë ndaluar nga policia boshnjake. Më duhet ta ripyes duke ndërtuar një fjali ndryshe.
Disa pamje të transmetuara në televizionet e Bosnjës, ju tregojnë ju të rrethuar nga policë. Si e shpjegoni një gjë të tillë?
"Unë nuk i kam parë këto filmime", përgjigjet në mënyrë të prerë duke mohuar kështu një ngjarje të tillë, përcjellë me bujë nga shumë televizione apo agjenci lajmesh në Ballkan.
Ardhja në Londër menjëherë pas ndalimit në Bosnjë ngre një sërë pikëpyetjesh. Përse zgjodhi këtë vend dhe nuk shkoi në Uashington, ku shpenzon të shumtën e kohës?
Kjo ardhje mund të shërbejë si një tjetër argument për hamendësitë apo ata që besojnë idetë konspirative, se Fazlliç është i rekrutuar nga shërbimet sekrete britanike, siç edhe është aluduar në mediat boshnjake.
Megjithëse ka pak ditë në Londër dhe nuk ka dyshim se e mban mend datën kur ka ardhur në Angli, Fazlliç jep këtë përgjigje.
"Tre apo katër ditë", pohon ai duke ndaluar dhe hedhur shikimin nga kamera që bo filmonte bisedën.
Duke parë që ai me çdo kusht kërkon të më bindë se nuk është arrestuar e pyes përsëri.
Pra, në mënyrë kategorike ju mohoni të jeni arrestuar?
"Siç ju thashë, asnjëherë në jetën time", deklaron ai ftohtë, duke dhënë së treguari se çdo lloj pyetje që do të pasonte kishte për të marrë të njëjtën përgjigje.
Një prej pikave më të debatueshme të aktivitetit në Shqipëri të Damir Fazlliç janë ndërtimi i disa kompanive fantazmë, të cilat nuk kanë pasur asete, por siç vërtetohet nga një akt shitje rezulton të jetë shitur 1 milion e 700 mijë euro.
Por sa është numri i kompanive të regjistruara në Shqipëri që kanë pronësinë e Fazlliç?
Një përgjigje nga vetë ai do të ndihmonte shumë për të pasur një panoramë reale të investimeve që ka në Tiranë.
"Nuk e mbaj mend se sa kompani kam. Ajo që mund të pohoj është se unë jam një investues në Shqipëri. Besoj se Shqipëria ka shumë potenciale të frytshme për të investuar. Ju keni një qeveri largpamëse. Por unë jam një investitor aktiv në Tiranë", deklaron Fazlliç.
Nga deputetë të opozitës apo në media shpeshherë kohët e fundit është lakuar emri i Mihal Delijorgjit si një njeri që ka patur lidhje me karizmatikun Fazlliç, njohur ndryshe si super-sekseri i Ballkanit. Sipas tij, emri i Delijorgjit është i panjohur për të.
"Është hera e parë që e dëgjoj një emër të tillë", thotë Fazlliç kur e pyes nëse e kishte njohur apo bashkëpunuar me Delijorgjin përpara arrestimit të këtij të fundit.
Siç është raportuar në mediat shqiptare masivisht ditët e fundit, Erion Isufi është një tjetër personazh i lidhur ngushtë me bizneset e Damir Fazlliç në Tiranë. Nga dokumentet zyrtare figuron se Isufi, kunati i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, të jetë administrator i të paktën tre bizneseve. Besohet se Fazlliç e ka larguar atë nga puna. Por ky i fundit jep një tjetër variant të kësaj ngjarjeje.
"Unë nuk e kam hequr zotin Isufi nga puna. Ai ka shkuar të merret me bizneset e tij private. E shikoj atë një djalë të ri me potenciale".
Zoti Isufi ishte menaxher apo partner në bizneset tuaja?
Damir Fazlliç thotë: "Ai ka menaxhuar vetëm një prej bizneseve të mia".
Fazlliç shquhet për lidhjet e tij me politikanë në të gjithë Ballkanin, gjë e cila padyshim është çelësi i suksesit në bizneset apo ndërmjetësimet mjeshtërore që mbajnë firmën e tij. Shqipëria nuk bën përjashtim. Shpeshherë përpara dhe pas ardhjes së demokratëve në pushtet, Fazlliç është ulur në një tavolinë me Kryeministrin Berisha, sikurse mund ta kenë bërë edhe biznesmenë të tjerë ndërkombëtarë. Njohës të mirë të marrëdhënieve Berisha -Fazlliç pohojnë se mes tyre kjo miqësi mbetet në nivele të larta, siç edhe vetë Fazlliç e pohon me gojën e tij.
"Jam krenar të konsideroj zotin Berisha si një nga miqtë e mi", deklaron ai kur i drejtoj pyetjen si shkon miqësia me kryeministrin e vendit.
E pyes Damir Fazlliç se a do të thotë të pasurit miqësi me zotin Berisha avantazhe në bizneset e tij në Shqipëri?
"Nuk më duhet të jem mik me zotin Berisha për të pasur avantazhe në biznes. Unë mendoj se ligjet në Shqipëri të hartuara nga qeveria janë të mjaftueshme për cilindo investitor të huaj, për të zhvilluar një biznes pa qenë mik me kryeministrin apo ministra të tjerë".
Përgjigjet e Damirit kur e pyet për Kryeministrin Berisha janë më të gjata se të gjitha pyetjet e mëparshme të marra së bashku.
Por kur janë takuar për herë fundit dy miqtë Berisha-Fazlliç?
"Si investitor një vit apo nëntë muaj më parë, kur ne prezantuam tek qeveria një projekt tonin", përgjigjet ai.
Nuk do të kishte kuptim nëse kjo intervistë me Fazlliç do të përfundonte pa e pyetur rreth shitjes së njërës prej pesë kompanive që ka në Shqipëri e quajtur "CROWN ACQUISITIONS" një kompanie në Qipro. Pavarësisht se ekziston një akt shitje me vlerë 1 milion e 700 mijë euro, Fazlliç e mohon një shitje të tillë.
Përgjigjet me tri fjalë.
"Nuk është e vërtetë" dhe vetëm kaq.
Si është e mundur që thoni s'është e vërtetë, kur ka dokumente të firmosura nga avokatja Flutura Kola, të cilat tregojnë se e keni shitur këtë kompani?
"Unë ju tregova në fillim. Nuk kam ndërmend t'ju tregoj detaje, pasi pastaj do të më duhen gjashtë orë të bisedoj rreth gënjeshtrave që janë shkruar. E vetmja gjë e vërtetë e shkruar është emri im, të tjerat janë gënjeshtra".
Damir Fazlliç nuk pranon t'i përgjigjet pyetjeve të tjera, por premton se një kohë të përshtatshme do të jetë i gatshëm të flasë përsëri.
"Do të rishikohemi së shpejti. Ju premtoj t'ju jap një intervistë të gjatë, me një kusht që fjalët e mia mos të ndryshojnë", premton Fazlliç, i cili lë të kuptojë se beson më shumë një gazetar shqiptar se sa atë në vendin e origjinës, të cilët i kanë hapur jo pak telashe me shkrimet e tyre investigative.
Ina Rama: Fazlliç pa dosje në Shqipëri
TIRANE - "Emri i biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç nuk ka rezultuar në dosjet penale që Prokuroria shqiptare ka aktualisht në hetim". Kjo ka qenë deklarata e bërë dje nga Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë pas interesimit të mediave rreth pozicionit të biznesmenit boshnjak në raport me ndonjë veprimtari të paligjshme të kryer në Shqipëri. Zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme konfirmoi se nga të dhënat zyrtare, biznesmeni boshnjak nuk rezulton i pranishëm në dosjen "Gërdeci" ku është përfolur, as si dëshmitar, as si person me dijeni për rrethanat e hetimit. Po ashtu, Prokuroria deklaron se në dosjet e saj në hetim dhe nga verifikimet që kanë filluar gjatë ditëve të fundit, Damir Fazlliç nuk rezulton të ketë konsumuar ndonjë shkelje ligjore penale përmes bizneseve që janë regjistruar në emër të tij.