Durrës-Kukës, varianti më i shtrenjtë, 840 milionë euro
Fabiola Çela
Qeveria pritet të shpenzojë 840 milionë euro për ndër-timin e rrugës Durrës-Kukës. Kjo pritet të jetë shifra më e madhe në skenarin më të shtrenjtë. Sipas burimeve nga Ministria e Financave, për superprojektin është parashikuar të shpenzohen gjithsej 700 milionë euro, por kjo shifër në bazë të kontratës mund të rritet ose të ulet me 20 për qind. E thënë ndryshe, në variantin maksimal shteti duhet të paguajë edhe 140 milionë të tjera për të mbuluar efektet e tjera jashtë kontratës.
Financimi
Pjesa më e madhe e parave të fondit të investimeve përdoren për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Ndërtimi i kësaj rruge është edhe një ndër premtimet elektorale të qeverisë demokrate. Ashtu si vitet e kaluara, edhe në buxhetin e vitit 2009 është parashikuar një fond i konsiderueshëm parash për ndërtimin e kësaj rruge. Bëhet fjalë për shumën 250 milionë euro, një pjesë e së cilës do të sigurohet nga paratë e buxhetit të shtetit, ndërsa një pjesë tjetër nga eurobondet. “Për 2009-ën pritet ta mbyllim këtë projekt. Sipas projektit të zbatimit parashikohet që të mbyllet brenda qershorit të vitit të ardhshëm. Nëse nuk mbyllet, pastaj ka penalitete për kompaninë”, janë shprehur zyrtarët e Ministrisë së Financave.
Projekti
Të dhënat e fundit nga konsorciumi “Bechtel-Enka”, tregojnë se deri në mes të shtatorit ka përfunduar ndërtimi i shtatë urave dhe është avancuar në më shumë se gjysmën e tij hapja e supertunelit. Segmenti Rrëshen-Kalimash, prej 60 km, përfshin edhe 27 ura si dhe tunelin prej 6 kilometrash. Sipas të dhënave nga kompania “Bechtel-Enka”, mësohet se po vazhdon puna në të gjithë gjatësinë e rrugës 60 km. Deri tani nga dy impiante prodhimi të betonit janë prodhuar 385 trarë. Nga këto trarë që shërbejnë për urat, janë instaluar deri më 26 shtator 190 copë që kanë kompletuar 7 ura. Këto ura, sipas burimeve, aktualisht përdoren nga mjetet e kompanisë për të lehtësuar trafikun. Por punimet për ndërtimin e urave nuk kanë përfunduar me kaq. Mësohet të jenë ndërtuar bazamentet dhe këmbët mbajtëse edhe për 15 ura të tjera. Ndërkohë që më datë 23 shtator nisi puna për vendosjen e trarëve në urën më të lartë në këtë aks. Lartësia e kësaj ure arrin në 80 metra. Deri më 26 shtator, sipas të dhënave, janë gërmuar 25 milionë metër kub material, duke përdorur 9 milionë metër kub material mbushës si dhe janë vendosur 151.000 metra kub struktura betoni. Ndërkaq vetëm pak ditë më parë, më 24 shtator, ka përfunduar asfaltimi në një seksion provë në afërsi të portalit verior të tunelit. Bëhet fjalë për pjesën në dalje të tunelit. Pas testeve të nevojshme të kryera, do të vazhdohet asfaltimi në seksionin 3 (nga portali verior i tunelit deri në Kalimash), pra pjesës fundore të rrugës që ka marrë përsipër “Bechtel-Enka”.
Prokuroria: Durrës-Kukës,1 miliard e 23 milionë euro
TIRANE – Ekspertët kontabël të thirrur nga Prokuroria e Përgjithshme për hartimin e raportit të shpenzimeve të rrugës Durrës-Kukës, kanë arritur në përfundimin se vlera totale e këtij projekti është 1 miliard e 23 milionë euro. Dy ekspertët, Pëllumb Ahmetaj dhe Zenun Katana kanë hartuar një raport kontabël mbi rrugën, që e kanë dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme e cila është duke hetuar për abuzime të mundshme me ndërtimin e autostradës, si dhe për mundësinë që me këtë vepër t’i jetë shkaktuar shtetit dëm ekonomik. Prokuroria e Përgjithshme konfirmon se ka marrë në dorëzim raportin e ekspertëve porse është duke bërë vlerësimin e tij për llogari të hetimeve në dosjen Durrës-Kukës, ku janë marrë të pandehur deri më tani tre ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Transporteve.